Shteti shqiptar nuk kursen të paguajë deri në 23 milionë euro për kilometër për rrugët që ndërtohen nga private, por kursehet të paguajë dëshpërblim në vlerën e tregut për banorët pronat e të cilëve preken nga këto investime.
40 banorë të Bërxullës sot me shishe benzine në dorë në soletat e banesave të tyre kërcënuan me vetëflijim pasi shteti nuk i dëmshpërblen me vlerën e tregut për pronat e tyre me argumentin se nuk janë të legalizuara.
Historitë e familljeve shqiptare që humbin pronat janë të trishta dhe shumë prej tyre kanë afat vetëm 24 orë për të liruar objektet para se fadromat e IKMT t’u rrënojnë investimin e jetës, në themelet e të cilit ka mund, djersë e gjak që nuk shlyhet me një bonus të përkohshëm qiraje.
Përfaqësuesit e njësisë administrative nuk u japin asnjë përgjigje per banorët dhe i lënë në mëshirë të interesave të privatit.
Në çdo vend normal të botës kur ka një investim madhor publik siç janë rrugët dhe autostradat, fillimisht shteti bën çertifikimin e çdo prone, më pas bëhet kompensimi në marrëveshje me banorët ose komunitetet që i hap rrugë projektit.
Këtu kostot e rrugëve janë standardet e Austrisë dhe fatura e dëmshpërblimit si në vendet e Afrikës së Veriut.
I njëjti standard në Shqipëri ndiqet në çdo investim publik, ku interesi qytetar shkelmohet për interesa korruptive që favorizojnë privation dhe zyrtarët e korruptuar.
Qëndresa Qytetare sot qëndron në krah të banorëve dhe cdo shqiptari që ka shpenzuar jetën për të ndërtuar shtëpinë e tij, si strehë për familjen. Dramat sociale do të na kushtojnë më shumë se asfalti i florinjtë!