Institutiti Ndërkombëtar Republikan ka publikuar sondazhin në lidhje me politikanët e pëlqyer dhe më pak të pëlqyer në vend.
Në krye të listës si më i pëlqyeri është kryeministri Edi Rama ndërsa Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe Lulzim Basha janë politikanët më pak të pëlqyer nga shqiptarët.
Sipas sondazhit të IRI-t, Rama është politikani më i pëlqyer në vend (28%), pas tij Erion Veliaj (17%), dhe lista vijon me deputetin Agron Shehaj, i cili është njëkohësisht edhe politikani, për të cilin qytetarët kanë më pak mendim negativ, (32%).
Teksa Veliaj renditet si ndër politikanët më të pëlqyer në Shqipëri, ajo çfarë duhet theksuar është se ky sondazh është bërë para shpërthimit të skandalit të dosjes “5D”, që çoi në pranga disa prej drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për korrupsion.
Berisha, edhe pse prej muajsh ndodhet në “arrest shtëpie”, i akuzuar për korrupsion nga SPAK, gëzon pëlqimin e qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk e kanë “braktisur”, por duke u renditur ndër politikanët më të pëlqyer në vend.
Ndërsa lista vijon me Belind Këlliçin, Gazment Bardhin, Lulzim Bashën dhe Ilir Metën, pavarësisht protagonizmit të tyre. Ilir Meta, po ashtu është politikani për të cilin qytetarët kanë mendim negativ (77 %), i cili pasohet nga Lulzim Basha me (70 %).
Po sipas këtij sondazhi, besimi tek politikanët dhe institucionet është në nivele të ulëta në vendin tonë. Sipas anketës, mosbesimi më i lartë është ndaj parlamentit (77%) dhe ndaj partive politike (76%). Afro 60 për qind e të anketuarve pohojnë se nuk kanë besim tek asnjë politikan.
Mosbesimi shprehet ndaj KQZ-së (59%), ndaj gjykatave (58%), ndaj presidentit (52%), ndaj kryeministrit (51%). Ata janë të ndarë, në mënyrë të barabartë (49%-49%) në besimin ndaj medias, ndërsa institucionet që besojnë më shumë janë ushtria (51%), institucionet fetare (59%) dhe policia (63%).
