Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku kanë reaguar pas vrasjes së efektivit Novruz Cenalia, ditën e sotme në Fier.
Rrumbullaku në një deklaratë për mediat u zotua se në emër të Policisë së Shtetit, do të bëjnë gjithçka për të çuar në pranga autorin, 23 vjeçarin Azgan Mërnica. Më tej, Rrumbullaku nënvizon se kushdo që guxon të cenoje uniformën e policies do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore.
“Policia e Shtetit dhe unë personalisht ndjehemi thellësisht të tronditur nga vrasja e punonjësit të policisë Novruz Cenalia, mesditën e 13 Majit 2024. Ndarja e parakohshme nga jeta e një djali të ri si Novruz Cenalia na ka hidhëruar të gjithëve, familjen e tij, është në lot e zi, dhe familjen e madhe të Policisë së Shtetit. Për të gjithë ne, kjo dhimbje bëhet edhe më e hidhur kur jeta e një punonjësi të Policisë së Shtetit ndërpritet nga dora e një vrasësi, që ende është i lirë.
Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se do të bëjmë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë. Shpreh bindjen se i gjithë opinioni publik ndodhet sot përkrah familjes Cenalia dhe Policisë së Shtetit dhe do të ndihmojë në kapjen e autorit të krimit. E kam theksuar me forcë, edhe pak ditë më parë, gjatë ceremonive perkujtimore për të rënët e policisë, se uniforma e Policisë së Shtetit është e shenjtë. Kushdo që guxon të cenoje uniformën e policisë, shëndetin dhe jetën e punonjësve të saj, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore”, thuhet në reagimin e Rrumbullakut.
Ndërkohë më herët, ministri Balla i ka bërë thirrje autorit të dorëzohet, ndërsa nga policia kërkoi arrestimin sa më shpejt të tij.
“Dua që të shpreh në këtë rast dhimbjen që ndjej për humbjen e jetës së një punonjësi policie dhe po ashtu të nxis Policinë e Shtetit, drejtuesit e Policisë së Shtetit që të bëjnë gjithçka për arrestimin një orë e më parë të autorit dhe e them shpesh që duhet të bëjmë gjithçcka që në këtë vend të ngulitet mirë në mendjen e kujtdo që është e papranueshme të ngresh dorën ndaj një punonësi police e më rëndë se kaq të përdorësh armën“- u shpreh Balla.