Autore: Ina Allkanjari
Ora është 5:30 e mëngjesit, kur punonjësit e fasonerive në vend zgjohen për t’u bërë gati për një ditë të re pune. Njëra prej tyre është edhe D.A. 43-vjeçarja nga Elbasani. Zgjimi në këtë orë për të është kthyer në rutinën e përditshme që prej 11 vitesh kur nisi punën në një fasoneri të prodhimit të bluzave që eksportohen për në Itali.
Pjesë e përditshmërisë së saj është edhe puna në sektorin e pelimit (heqja e fijeve të panevojshme të trikove), ku i duhet të qëndrojë e ulur në një stol për mbi 8 orë në mënyrë që të kapë normën.
“Qendrimi ulur më ka sjellur probleme në kurriz, shpatulla dhe veshka”, thotë ajo për “Sinjalizo” duke shtuar se intensiteti i punës është i tillë që gjatë orarit të punës e ka thuajse të pamundur të qëndrojë në tualet më shumë se 3 minuta.
“Nëse vonohem më shumë përgjegjësja më tërheq vëmendjen. Më thotë se po i bëj bisht punës, por është e pamudur të kryej nevojat në pushimin 20 minutësh të drekës ku nuk di çfarë të bësh më parë, të hash ushqimin apo të presësh në rradhë për një tualet”, thotë ajo duke theksuar se për më shumë se 100 punonjëse gra është në dispozicion vetëm një tualet.
Pagesa nuk e justifikon lodhjen e saj në punë, madje një pjesë e konsiderueshme e saj shkon për vizitat e herëpashershme mjekësore për shkak të problemeve me veshkat.
“11 vite më parë paguesha 18 mijë lekë të reja, por duke qenë se ishte e pamjaftueshme i kërkova pronarit të më hiqte nga siguracionet dhe të ma vendoste në rrogë. Pra, të punoja në të zezë”, thotë 43-vjeçarja duke treguar se ndonëse paga mujore tashmë është rreth 40 mijë lekë, sërish mbetet e pamjaftueshme për të përballuar jetesën e tre fëmijëve të saj dhe për të paguar qiranë mujore të shtëpisë.
KUSHTET E PUNËS DHE SHKELJA E STANDARDEVE
Fasoneritë, pjesë e rëndësishme e ekonomisë së vendit, vijojnë të ballafaqohen me një sërë problematikash që shqetësojnë gjithnjë e më shumë punonjësit dhe aktivistët e të drejtave të punës.
Paga të ulëta, kushte të vështira pune, thyerje e kodit të punës, informalitet, pushime nga puna pa arsye, janë disa prej problematikave me të cilat përballen punonjësit e fasonerisë në vend. Këto shqetësime përforcohen nga zërat e ekspertëve dhe përfaqësuesve sindikalë, të cilët hedhin dritë mbi një realitet të vështirë.
Emiljando Kita, përfaqësues i Institutit për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror tregon për “Sinjalizo” se një ndër problemet kryesore në këtë sektor është pagesa e ulët dhe shkelja e standardeve të punës.
“Me kod pune duhet që e shtuna të jetë pushim, ose të paguhet sipas ligjit 50% më shumë, por nuk zbatohet. Punëtorët e fasonerisë vazhdojnë të punojnë edhe ditën e djelë në momentin kur ka normë të lartë punë, por prapë nuk e shohin si thyerje të kodit të punës edhe kur nuk paguhen shtesë.”
Për më tepër, Kita thotë se shfrytëzimi i punëtorëve është ndër shqetësimet më të mëdha që prek punonjësit në fasoneri.
“Unë kam pasur edhe familjarë që kanë punuar në fasoneri. E shoh shumë problematike sepse janë të keqpaguar. Punëtorët e fasonerisë janë përgjithësishtë më pak të arsimuarit dhe kjo krijon mundësi për të pasur shfrytëzim të të drejtave të tyre.”
“Po ngrite zërin, të pushojnë nga puna”. Sipas Emiljando Kitës kjo shprehje është realitet për punonjësit e fasonerisë.
“Kemi dëgjuar raste që kur një grup punëtorësh në fasoneri kanë ngritur zërin duke kërkuar të drejtat e tyre dhe janë pushuar nga puna. Te Ura e Institutit ka qenë një grup punëtorësh që kanë kërkuar rritje rrogash dhe të gjithë grupin e kanë hequr nga puna”.
Ai gjithashtu ndalet te një rast i shkeljes së drejtave sindikale në Bilisht, ku një punonjëse fasonerie u shkarkua nga puna pasi u angazhua në organizimin sindikal.
“Mira Shegën kryetaren e sindikatës së punëtorëve të fasonerisë në Bilisht, pronari e shkarkoi nga puna. Dolën të gjithë punëtorët e fasonerisë në protest dhe i thanë që shkarkimi nga puna po bëhet prej organizimit sindikal dhe pronari u detyrua që të rikthejë në punë”, thotë përfaqësuesi i Institutit për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror.
Shfrytëzimi i punonjësve të fasonerisë është një shqetësimin i ngritur edhe nga Ferdes Onuzi, aktiviste për të drejtat e punëtorëve. Ajo tregon për Sinjalizo se punonjësve në këto ambiente u shkelen të drejta bazike, si mundësia për të shkuar në tualet.
“Punonjësit lodhjen nuk e konsiderojnë, mjaftojnë që të paguhen edhe pse mund të ketë intensitet shumë të lartë dhe u shkelen të drejta të tjera. Për shembull nuk kanë mundësi të shkojnë as në tualet pasi ja u mbyllin tualetet, ose nëse shkojnë dy herë në tualet brenda orës ngrihet si problem. Pasi konceptohet sikur po neglizhojnë punën”, tregon Onuzi.
Ndërkohë përpos kushteve të vështira që përballen çdo ditë në ambientet e punës së ndërmarrjeve prodhuese me qinda gra në Shqipëri, paga që ato marrin nuk ju mjafton as për të përmbushur nevojat bazike. Sipas Ferdes Onuzit, aktivistes për të drejtat e punëtorëve, rritja e pagës minimale nuk ka pasur ndikim në përmirësimin e jetesës së punonjësve të fasonerisë.
“Rritja e pagës minimale ka sjell afrim me pagën mesatare ndërkohë që paga mesatare ka ngelur e pandryshuar prej vitesh. Sigurisht kjo nuk përkthehet në jetë më të mirë për to, por përkundrazi ato shprehen që më përpara mund të paguheshin më keq por mund të kishin ndonjë lekë në fund të muajit, ndërsa tani me vështirësi arrijnë të mbyllin muajin nga ana ekonomike”.
Pagesat në të zezë, apo fakti që pas kalimit të rrogës një pjesë të lekëve duhet tjua kthejnë pronarit është problem ekzistues, sipas aktivistes.
“Fabrikat që janë më të vogla 20-100 punëtorë e kanë masivisht këtë problematik. Nëse paguhen sipër mesatares, një pjesë të lekëve e marrin në bankë dhe një pjesë e marrin në dorë. Kjo ndodh edhe në mes Tiranës te rruga Siri Kodra, imagjino se çfarë bëhet në rrethe”, thotë Ferdes Onuzi.
PRONARËT E FASONERIVE
Por, çfarë thonë pronarët e fasonerive? Flori Zekja, pronar i një fabrike të modës, pranon se sektori ka probleme të mëdha me mungesën e punëtorëve, por argumenton se ky është një fenomen që ka prekur shumë shtete.
“Unë në fasoneri kam rreth 70 punonjës. Unë jam duke kërkuar punëtor. Aktualisht ka shumë ndërmarrje që janë mbyllur sidomos te moda. Nuk është vetëm sektori jonë që ka probleme me mungesën e punëtorëve. Kjo problematik gjendet edhe në kompani të tjera, gjendet edhe në Europë, Amerikë, Kanada. Ky është një fenomen global tashmë”.
Industria e modës është një nga sektorët më të prekur nga kriza ekonomike. Ndërmarrjet prodhuese të modës në vend po mbyllin dyert për shkak të falimentimit.
“Unë di ndërmarrje që kanë 25 vite eksperiencë dhe kanë çuar punëtorët në shtëpi sepse sektori i modës është në krizë. Kjo është një fatkeqësi shumë e madhe si për punëtorët po ashtu edhe për ndërmarrjen”, thotë Flori Zekja.
Largimi i shqiptarëve nga vendi nuk është thjesht një akt individual, por mund të shihet edhe si një formë e protestës demokratike kundër situatës së pamjaftueshme ekonomike. Sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preçi, shteti duhet të krijojë politika të reja në sektorin fason që të përqendrohen në kualifikimin e fuqisë punëtore dhe nxitjen e prodhimit vendas.
“Ky fenomen në një anë e ka vështirësuar mundësinë e ruajtjes së fitimeve për biznesin, nga ana tjetër ka krijuar një gropë e cila nga qeveria në mënyrë naïve po synohet të mbushet me emigrant të huaj kryesisht nga vendet e varfëra të Azisë, Afrikës etj.”
Rënia e vlerës së monedhës së Euros ka qenë një faktorë shtesë, plotësues që ka vështirësuar më tej situatën e bizneseve, të industrisë fasone. Eksperti i ekonomisë Zef Preçi thotë se hapat që duhet të ndërmarrë qeveria është që të ndërtojë dialog me komunitetin e biznesit në mënyrë që të bëjë një lehtësi fiksale. Ndërsa thekson se pagat që janë në fasoneri referojnë pagën minimale të një pjese të konsiderueshme në këtë sektor. “Paga reflekton shfrytëzimin grabitqarë që i bëhet fuqisë punëtore nga komuniteti i biznesit në tërësi”.
ORËT E PUNËS, KONTRATAT DHE PAGAT
Sektori fason në Shqipëri, i njohur për prodhimin e kontraktuar të veshjeve dhe këpucëve, ka qenë një nga motorrët kryesorë të rritjes ekonomike të vendit në 10 vjeçarin e fundit. Megjithatë, pandemia e COVID-19, rënia e monedhës EUR dhe pasojat e saj globale çuan në një rënie të porosive, me një ulje prej rreth 40% në krahasim me vitet e mëparshme. Sipas të dhënave të INSTAT të dhjetorit 2023, eksportet e mallrave u ulën me 6.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo bëri që shumë ndërmarrje të mbyllnin ose të ulnin ndjeshëm kapacitetet e tyre prodhuese.
Në një studim mbi gjendjen punëtore në sektorin fason për vitin 2023 të realizuar nga Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror, reflektohen problematikat që shoqërojnë këtë sektor në Shqipëri. Studimi u realizua nëpërmjet grumbullimit të të dhënave parësore nga zhvillimi i 127 anketave me punëtorë të fasonerisë, kryesisht në zonën e Tiranës, Durrësit, Kamzës.
Gjatë studimit, një fenomen i vërejtur është që pavarësisht vjetërsisë dhe përvojës së punëtorëve, paga mbetet e ngurtë dhe shpeshherë nuk reflekton këtë përvojë të fituar.
Kur punëtorët janë pyetur se çfarë do të donin të ndryshonin në vendin e punës, 56% do të dëshironin që protestat të organizoheshin për pagat, duke i parë si të pamjaftueshme pas krizës së Covid-19 dhe rritjes së çmimeve, ndjekur nga 22 % që dëshironin të përmirësohej infrastruktura, pasi janë shrehur se fabrikat lënë shumë për të dëshiruar kur vjen puna te hapësirat e përbashkëta, makineritë dhe mjetet e punës me të cilat punojnë apo edhe sistemi i ajrimit në fabrika.
Gjithashtu studimi tregon një mungesë të theksuar të kontratave të punës dhe kopjeve të tyre në mesin e punëtorëve. Rreth 9.45% e punëtorëve nuk posedojnë një kontratë pune, dhe 60.63% nuk kanë një kopje të kontratës së tyre.
Ndërkohë në raportin vjetor të 2023 të Inspertoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore rezultojnë 80,928 punëmarrës pranë sektorit Ndërmarrje Prodhuese dhe 14,013 prej tyre paguhen me pagë minimale.
Ndërsa fasoneritë mbeten një sektor i rëndësishëm për ekonominë është, koha për ndryshime të thella. Mbrojtja e drejtave të punëtorëve, sigurimi i kushteve të mira të punës dhe rritja e pagesave janë sfidat kryesore që duhet adresuar për të përmirësuar jetën dhe të ardhmen e punonjësve të fasonerive në Shqipëri. INA