Kërcënoi Shehajn me “prerje veshësh”, justifikohet ministri Manja: Ishte debat i mirëfilltë politik në Kuvend

“Debat i mirëfilltë politik në Kuvendin e Shqipërisë!” Kështu e ka cilësuar ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, kërcënimin “t’i pres veshët” ndaj deputetit opozitar Agron Shehaj.

Ai foli për mediat pas aktivitetit në Prokurorinë e Përgjithshme, ku u pyet edhe për debatin e djeshëm me deputetin Shehaj. Por, i gjendur ngushtë përballë pyetjes së gazetarëve, ai shtoi se ajo ngjarje ndodhi dje dhe nuk duhet të diskutohej më gjatë.

“Ishte dje ajo, sot është ditë e re. Ai ishte thjesht në debat i mirëfilltë politik i zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë. Ndaj sot kemi punë të tjera dhe jemi edhe para Pashkëve”, tha Manja.

“Debate të mirëfillta politike” si ai i Manjës dje, tregojnë nervozizmin dhe tensionin e ministrave përballë akuzave drejt tyre, të cilat në pjesën dërrmuese janë të faktuara. Por, prej vitesh askush në qeveri nuk mban përgjegjësi për skandalet që ndodhin, sidomos nëse në krah kanë edhe kryeministrin e vendit.

Por çfarë ndodhi dje në Kuvend?

Deputeti Agron Shehaj iu rikthye deklaratave të ministrit Manja, i cili kishte gënjyer në Kuvend se nga amnistia nuk do përfitonte asnjë i dënuar për korrupsion nga GJKKO dhe se nuk do të kishte as ulje të dënimit për ta.

Këto deklarata nuk i pëlqyen aspak ministrit Manja, i cili u gjend përballë të vërtetës që deputeti Shehaj ia përplasi në fytyrë.

Por Manja nuk u mjaftua me kaq duke e kërcënuar deputetin Shehaj, duke i thënë se do ‘ti këpuste veshin’ dhe se shteti duhej të merrej seriozisht me të, duke marrë parasysh se deputetit para pak kohësh i mbyllën zyrat e biznesit të tij.

“Shteti do të duhet të merret seriozisht me ty. Do të vijë dita që fytyra jote prej ëngjëlli të dalë ashtu siç është në të vërtetë”, iu drejtua Manja deputetit Shehaj.

Ministri humbi qetesine, vetëm se Shehaj i kërkoi po ashtu dorëheqjen, për shkak se i tha të vërtetën që Manjes nuk i pëlqeu aspak.

“Ishte e qartë që ministri Manja po gënjente në mënyrë të turpshme dhe banale. Thoshte se nga amnistia nuk do të përfitonin të korruptuarit dhe të dënuarit nga GJKKO. Ka 4 muaj që e thote. Ky parlament ka parë mashtrime dhe gënjështra pa fund, por kjo që ka ndodhur me amnistinë e të korruptuarve kalon cdo rekord. Ministri i Drejtësisë në emër të qeverisë deklaroi në këtë Parlament: nuk do të përfitoj nga amnistia asnjë i dënuar nga GJKKO dhe asnjë i dënuar për korrupsion. Po citoj deklaratën e Manjës. As ulje të dënimit për ata që janë dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar nga GJKKO. Kjo ishte deklarata” tha mes të tjerash Shehaj.