Kryetari i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në Kuvend foli mbi refuzimin nga ana e kryeministrit Edi Rama mbi një interpelancë lidhur me investigimin e publikuar nga media italiane “Rai 3”.
Bardhi tha se me këtë refuzim të interpelancës po shkelet Kushtetuta, ndërsa shtoi se Kuvendi duhet të distancohet nga sjellja e Ramës ndaj medias shtetërore italiane.
Sipas tij, investigimi i emisionit “Report” në RAI3 nuk ka sulmuar Shqipërinë ashtu siç e ka konsideruar vetë kryeministri, por ka nxjerrë të vërtetat e qeverisë së Ramës.
“Ky i fundit ka vendosur të fshihet nga e vërteta dhe nga qytetarët. Ky Kuvend duhet të distancohet nga sjelljet e Edi Ramës ndaj medias RAI 3. Ish këshilltari i Ramës, ish magjistrati italian Mandoi na pohoi atë që kemi thënë që anëtarët e mafies kanë përfaqësuesit brenda institucioneve shtetërore. E vërteta nuk turpëron Shqipërinë, por Edi Ramën.
Ky investigim nuk ka sulmuar Shqipërinë, por nxjerr të vërtetat e qeverisë së Ramës që ka treguar në këto 11 vjet se e ka fuqizuar krimin e organizuar dhe ka dëmtuar qytetarët e ndershëm”- u shpreh Bardhi.
Por teksa Rama nuk ka qenë i pranishëm, ka qenë ministrja Elisa Spiropali, e cila e ka mbrojtur nga Foltorja kreun e qeverisë ndërsa hodhi akuza drejt opozitës.
“Hataja ndodhi edhe një herë si përherë. E bleu dhe RAI-n ky diktatori i Tiranës, siç ka blerë Departamentin Amerikan të Shtetit, shtypin suedez. Ky diktator i Tiranës siç ka blerë 9 fitore elektorale dhe do të fitojë edhe tjetrin në prag, që shet Shqipërinë për të blerë vota, që shet edhe thesaret për të blerë ndërkombëtarët mund t’i ketë çuar Rai-n 70 milion euro, nga ato që kanë tepruar për të blerë Melonin. Nuk ka rëndësi përbaltja e vendit, por shpresa nga ajo pak baltë e Tiranës të tregtohet e paketuar edhe në italisht.
Këtu zë fill marrëzia e atyre që kanë humbur fillin sipas drejtorisë së përgjithshme të kanalizimeve të zeza mediatike që edhe RAI qenka shitur. Meqë episodi i mbrëmshëm nuk paska sjellë ambalazhin italian mbi fytyrën e Shqipërisë për të derdhur në shtëpinë e italianëve njësoj siç derdhen në shtëpitë e shqiptarëve. Drejtuesi i RAI3 nuk ka paralajmëruar asgjë tjetër vetëm se programi do të vazhdojë të merret për emigrantët por pa hedhur asnjë gram baltë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Kaq ka mjaftuar që edhe RAI të shpallet i shitur”, tha ajo.