Ilir Meta shpërtheu me akuza ndaj Altin Dumanit dhe SPAK, ambasadori i BE: Sulmet ndaj gjyqësorit s’janë të denja për demokracinë

Nga qyteti i Vlorës, ambasadori i BE në vendin tonë Silvio Gonzato ka komentuar sulmet që kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka bërë ndaj drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. Gonzato ka thënë se sulmet ndaj gjyqësorit nuk janë të denja për një vend demokratik.

“Nuk mendoj se sulmet ndaj gjyqësorit janë të denja për demokracinë. Kemi folur kështuqë dua ta lë me kaq”– tha Gonzato teksa merrte pjesë në aktivitetin “Garancia rinore”.

Ambasadori i BE nuk ka lëshuar deklarata te tjera duke kërkuar të fokusohet thjesht tek aktiviteti i zhvilluar në ambientet e shkollës profesionale industriale” Pavarësia” në Vlorë.

Ndërkohë ditën e djeshme, delegacioni i Bashkimit Europian në një reagim shprehej se sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Teksa mbështesin reagimin e KLP-së, Bashkimi Europian nënvizon se janë në krah të magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhej në reagimin e BE.

Rikujtojmë qe kreu i PL përgjatë ditëve të fundit hodhi akuza të rënda ndaj Altin Dumanit, ku e cilësoi atë si “palaço” dhe “injorant” dhe se është në shërbim të Edi Ramës.