Socialistët i bëhen mburojë Olta Xhaçkës, Bardhi reagon ashpër: Ditë e zezë për Shqipërinë, Rama i çoi mesazh mafioz SPAK-ut

Një ditë të zezë për Shqipërinë dhe Parlamentin e konsideroi kreu i grupit parlamentar të PD Gazmend Bardhi pasi socialistët u bënë sërish mburojë për deputeten Olta Xhaçka pasi nuk çuan për shqyrtim mandatin e saj në Gjykatën Kushtetuese.

Për dërgimin e mocionit në lidhje me papajtueshmërine e mandatit të deputetes Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese kishte 39 vota pro nga opozita, të cilat u mposhtën nga 72 votat kundër të mazhorancës.

Sipas Bardhit sot ka rënë shteti dhe vdiq kushtetueshmëria në vend ndërsa kryeministri Edi Rama i dha mesazh mafioz SPAK-ut se nuk mund të prekë Xhaçkën.

“Mesazhi mafioz që Edi Rama i përcolli sot SPAK se nuk mund ta prekë Olta Xhaçkën. Njësoj siç u soll sot me Gjykatën Kushtetuese dhe nesër nëse ata marrin vendime kundër Xhaçkës. Nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në ditën e vdekjes së diktatorit, vdiqën kushtetueshmërinë në vend dhe reformën në drejtësi. Është një ditë e zezë për Shqipërinë dhe Parlamentin. Ne duhet të marrim një vendim nëse duhet t’i drejtohemi më Gjykatës Kushtetuese. Nga sot nuk e kuptoj se për çfarë do të paguhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi ai midis të tjerash.

Rikujtojmë se edhe deputetja Olta Xhaçka gjatë fjalës që mbajti në Kuvend, e sigurt që kolegët e saj nuk do ta “lëshonin” edhe këtë herë sfidoi hapur SPAK-un duke thënë se bashkëshorti i saj nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe asnjë cm2 truall shtetëror ndërsa u hodh në sulm ndaj opozitës që kërkoi që t’i hiqej mandati.