Mazhoranca “vret” Drejtësinë! PS kundër Kushtetueses, shpëton mandatin e Olta Xhaçkës

Ashtu siç pritej, ndodhi! Partia Socialiste ka dalë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar mandatin e Olta Xhaçkës, ish-ministres së akuzuar për konflikt interesi. Me 72 vota kundër dhe 39 pro, Kuvendi vendosë të shkelë hapur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në mungesën e kryeministrit Rama, socialistët i kishin marrë udhëzimet e qarta, Olta Xhaçka nuk duhet të hidhej në “gojën” e Kushtetueses, por do të vijohej mbrojtja e saj, siç ishte bërë për 14 muaj, që kur Gjykata Kushtetuese bëri kërkesën.

Prokuroria e Posaçme po heton bashkëshortin e Olta Xhaçkës, Artan Gaçin, pasi ky i fundit mori statusin e investitorit strategjik nëpërmjet një toke të tjetërsuar, që tashmë SPAK e ka vënë nën sekuestro.

Në qeli për këtë çështje është ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro dhe disa të tjerë, ndërkohë që vijojnë hetimet edhe për Gaçin, si i përfshirë në këtë shkelje ligji. Për sa i përket përfshirjes së Olta Xhaçkës, ajo ka qenë ministre në kohën kur bashkëshorti i saj përfitoi statusin e investitorit strategjik, në konflikt të hapur interesi, për shkak se ky status jepej nga Këshilli i Ministrave.

Historia e mandatit të Olta Xhaçkës…

Opozita kërkoi në Kuvend që mandati i Olta Xhaçkës të dërgohej për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se bashkëshorti i saj kishte marrë prona publike kur ajo ishte ministre.

Por mazhoranca refuzoi, çfarë detyroi një pjesë të deputetëve të opozitës t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit pranoi kërkesën e tyre dhe rrëzoi si antikushtetuese vendimet e Kuvendit për dy raportet e Këshillit të Mandateve lidhur me mandatin e Xhaçkës.

Gjykata Kushtetuese kërkoi që Kuvendi të merrte vendim dhe t’ua dërgonte mandatin e Xhaçkës për shqyrtim gjykatësve kushtetues. Për më shumë se 14 muaj ky vendim qëndroi në “sirtarin” e Kuvendit dhe nuk u diskutua kurrë në asnjë Komision, për shkak se mazhoranca kërkonte me çdo kusht që të mbronte ish-ministren.

Për herë të parë, javën e kaluar u mblodh Këshilli i Mandateve dhe u vendos që çështja të kalonte për votim në Kuvend. Sot, Kuvendi me votat e mazhorancës vendosi të mos e kalojë për shqyrtim në Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës, në një vendim që mund të konsiderohet fare mirë “vrasje” e Drejtësisë.

Precedent i rrezikshëm…

Mbrojtja e Olta Xhaçkës mund të sjellë një precedent të rrezikshëm për të ardhmen, pasi tashmë mbrojtja e deputetëve mund të bëhet standart dhe drejtësia e ka të pamundur të veprojë ndaj tyre.

Gjykata Kushtetuese u ka hequr më herët mandatin e deputetit Ilir Beqajt në vitin 2011, pasi ish-deputeti socialist kishte përfituar fonde publike për biznesin e tij.

Gjitashtu mandati iu hoq edhe ish-deputetit tjetër socialist, Koço Kokëdhimës, i cili u akuzua se kishte përfituar fonde nëpërmjet kompanisë së tij të internetit nga disa kontrata që ka nënshkruar me institucione publike.

Këto dy precedentë kanë trembur mazhorancën dhe kryeministrin Rama, që vendosi sërish ta mbante Xhaçkën në “gjirin e partisë”, të paktën deri në zgjedhjet e vitit 2025, ku nuk dihet nëse do ta kandidojë sërish, pavarësisht skandaleve në të cilat ish-ministja është e përfshirë.

Sot, Drejtësia u “vra” nga një mazhorancë që skandalin e ka kthyer në normalitet, ndërsa mbron me fanatizëm të korruptuarit që dinë të heshtin, ndërsa lëshon në “gojën e drejtësisë” ata që flasin, siç ishte rasti i Arben Ahmetaj.