Pirja e duhanit është një nga shkaqet më të mëdha të sëmundjeve dhe/ose vdekjeve të parandalueshme në Europë. Për këtë arsye vendet e BE janë duke ndërmarrë masa për të siguruar që njerëzit të motivohen më shumë për të mos blerë.
Vetëm pak javë më parë Belgjika u bë vendi i parë evropian që ndaloi përdorimin e cigareve elektronike dhe vape.
Në Shqipëri një projektligj i ri i iniciuar nga deputetët Erjon Braçe dhe Etilda Gjonaj, synon të ulë përdorimin e produkteve të duhanit, duke vendosur rregulla më strikte.
Duke dashur të përafrojnë legjislacionin shqiptar me atë të BE, dy socialistët kërkojnë ndalimin e reklamimit apo sponsorizimit në çdo formë për produktet e duhanit, për të vështirësuar sa më shumë aksesin tek to të personave nën 18 vjeç:
“Ndalohet shitja ose furnizimi, për qëllime tregtimi, i produkteve të duhanit, i cigareve, cigareve elektronike, shishave/nargjileve personave nën moshën 18 vjeç. Ndalohet ofrimi falas ose shitja e tyre me ofertë, i produkteve të duhanit, cigareve, cigareve elektronike, shishave/nargjileve, personave nën moshën 18 vjeç. Të gjitha pikat e shitjes duhet të pajisen me tabelë të dukshme dhe të lexueshme, ku të shkruhet: “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit, cigareve elektronike, shishave/nargjileve personave nën 18 vjeç”.
Projektligji kërkon të mos lejohet shitblerja në ambiente të caktuara:
“Ndalohet shitja e produkteve të duhanit, cigareve elektronike, shishave/nargjileve: a) në institucionet shëndetësore; b) në institucionet arsimore; c) në institucionet sportive; 9) në makinat shitëse automatike; d) me anë të vetëshërbimit; dh) në rrugë nga shitësit ambulantë; e) nëpërmjet shërbimit postar”.
Gjithashtu kërkohet ndërhyrje edhe në Kodin Penal për të ashpërsuar ndëshkimin e shkelësve të ligjit. Duke filluar nga gjoba e deri tek burgu për shitësit e produkteve të duhanit te personat e mitur: “Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale të parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ka ardhur si pasojë dëmtimi i rëndë i shëndetit te të miturit, dënimi është nga 4 deri në 8 vjet burgim. Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale të parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ka ardhur si pasojë vdekja e të miturit, dënimi është nga 8 deri në 16 vjet burgim”.