Nga Federica Tourn “The New European”
Një rrugë prej 3 kilometrash e përbërë nga gurë të vegjël e të pastër që nuk të çon askund. Mund të jetë simboli i përsosur i Goli Otok (Ishulli Shterpë), i cili u bë një burg dhe kamp torture për kundërshtarët politikë të Josip Broz Titos, diktatorit të Jugosllavisë midis viteve 1953-1980.
Të paktën 16.000 njerëz (shifra të tjera flasin për afro 30.000) u mbyllën në këtë ishull, thuajse një shkëmb i madh buzë brigjeve Dalmate, midis vitit 1949 (kur ai ishte kryeministër) dhe vitit 1956. Pas prishjes së marrëdhënieve mes Stalinit dhe Titos në vitin 1948, ata që nuk ishin në linjë me regjimin jugosllav u akuzuan si tradhtarë edhe për shprehjen e mospajtimit më të vogël. Shumë prej tyre, të cilësuar si armiq të popullit, përfunduan në burg pa e ditur as akuzën.
Intelektualë, politikanë, drejtorë kompanish, shkrimtarë dhe ish-partizanë që kishin luftuar përkrah vetë Titos u gjendën befas në Goli Otok për t’u “riedukuar” nga UBDA, policia sekrete jugosllave. Puna e detyruar e të burgosurve zgjaste 8 orë në ditë, në vapën përvëluese gjatë verës dhe në mesin e erës së acartë gjatë dimrit.
Por ekzistonte gjithmonë mundësia që në fund të ditës t’u kërkonin të punonin edhe tetë orë të tjera “për shokun Tito”. Sapo zbarkonin, të ardhurit e rinj duhej të kalonin nëpër ‘stroj’ (shtegu), një “përshëndetje e mirëseardhjes” që përfshinte kalimin midis dy rreshtave të të burgosurve që i godisnin me shkelma, grushte dhe i pështynin.
Ata trajtoheshin gjatë gjithë kohës në mënyrë çnjerëzore dhe detyroheshin të kryenin punë të kota. “Ata detyroheshin të nxirrnin gurë nga një gurore, dhe më pas nxitonin t’i hidhnin në det”- thotë Darko Bavoljak, president i shoqatës “Ante Zemljar”, për nder të partizanit dhe shkrimtarit të internuar në Goli Otok, shoqatë e cila po përpiqet të ruajë memorien historike të asaj që ndodhi.
“Kjo nuk është aspak e lehtë, pasi sot qeveria kroate nuk është e interesuar të gërmojë në fantazmat e ish-Jugosllavisë”- thekson Bavoljak. Të dënuarit e ndërtuan gjithçka me duart e tyre: rezervuarin e ujit, ndërtesat me qelitë që kishin kushte të mjerueshme, zyrat e marrjes në pyetje ku torturoheshin për të rrëfyer komplotet për të cilat në fakt nuk ishin fajtorë.
Megjithatë, rrëfimi ishte e vetmja mënyrë për të dalë prej andej dhe për t’u kthyer në shtëpi. Vuajtjet mund të reduktoheshin edhe duke ndëshkuar shokët e burgosur. “Gardianët i dënonin të burgosurit me vdekje për arsye të parëndësishme, por ishte gjithmonë një i burgosur ai që e zbatonte dënimin”- shpjegon Bavoljak.
“Përsëritësit”, ata që dërgoheshin në ishull për herë të dytë, apo ata të vijës së ashpër që nuk donin të përkuleshin, mbylleshin në një burg special, Petrova Rupa. Ajo ishte një gropë pa çati, dhe personi i parë që u burgos atje ishte antifashistit Petar Komneniç, një figurë udhëheqëse në luftën për çlirim kombëtar, i cili vdiq në vitin 1957 nga pasojat e burgimit.
Objektivi i UBDA-s ishte t’i nënshtronte këta kundërshtarë hipotetikë politikë të regjimit të Titos, duke i angazhuar në punë të detyruar ose duke i çuar drejt çmendurisë përmes trajtimit, mizorisë dhe punëve të pakuptimta që duhej të kryenin: më shumë se 4000 vdiqën nga torturat ose rraskapitja.
Ata që rezistuan dhe arritën të liroheshin, duhej të nënshkruanin një dokument në të cilin zotoheshin të mos i tregonin askujt për atë që kishin parë dhe vuajtur në Goli Otok. Të mbijetuarit, pjesërisht nga dëshira për të harruar tmerrin që kishin përjetuar, e respektuan në përgjithësi premtimin për të heshtur.
Konsulli Ivan Antunac, i quajtur më vonë “I Drejti i Kombeve” për shpëtimin e dy familjeve hebreje gjatë luftës, u deportua në Goli Otok, por pasi u kthye në shtëpi, nuk i tha asgjë familjes së tij. “Ai më tregoi për këtë përvojë vetëm një herë, gjatë një funerali, kur unë isha tashmë i rritur. Ata kishin ngjallur frikë tek veteranët, që e dinin se ishin gjithmonë të vëzhguar”- kujton djali i tij, Goran.
Megjithatë të tjerët, përfshirë Eva Grliç, një hebreje partizane dhe gruaja e filozofit marksist Danko Grliç (e deportuar gjithashtu në Goli Otok), kanë dëshmuar mbi tmerret që përjetuan. Në librin e saj “Kujtimet e një vendi të humbur”, Eva tregon historinë e një jete që përfshin humbjen e familjes së saj në Holokaust, luftën çlirimtare kundër nazizmit dhe vitet e kaluara në Ishullin Shterpë.
Djali i tyre Rajko, regjisor i njohur e kujton mirësinë dhe vullnetin e tyre për të jetuar: “Për prindërit e mi, t’i rezistoje dhunës do të thoshte që ata mos të na rëndonin ne fëmijët me vuajtjet që kishin përjetuar”. Pas vitit 1956, ishulli pushoi së qeni një “kamp riedukimi politik”, dhe u përdor si burg për kriminelët e zakonshëm.
Burgu u mbyll vetëm në vitin 1988. Sot, nuk është gjallë asnjë nga ish të burgosurit e ishullit. Fëmijëve dhe nipërve të tyre u ka mbetur detyra e menaxhimit të një trashëgimie komplekse për të cilën qeveria nuk shqetësohet.
Sot Goli Otok është vetëm një vend tërheqës për turistët, që shëtitin nëpër ishull me një tren të vogël në mesin e deleve të egra, për të soditur muret e rrënuara mbi të cilat po zhduken parullat që dikur lavdëronin Titon. Ndërkohë kujtimi i dhimbjes që ai shkaktoi, po davaritet midis gurëve të mbuluara nga disa shkurre që përkunden vazhdimisht nga era.