Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën për ish-kryeministrin Sali Berisha, për kërkesën e tij për revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”. Seanca e radhës do të mbahet në 8 Prill në orën 13:00.
Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e prokurorëve, të cilët kanë njoftuar GJKKO-bë se nuk mund të paraqiten për arsye objektive. Kjo nuk është hera e parë që Berisha bën kërkesë për revokimin e masës së sigurisë, por të gjitha kërkesat e mëparshme i janë refuzuar.
Ndërkohë, në Gjykatën e Tiranës sot do të mbahet seanca për shqyrtimin e kërkesës së Gazment Bardhit për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike.
Këshilli Kombëtar mori vendimin për këtë çështje në Korrik të vitit të kaluar, ndaj PD e Rithemelimit iu drejtua Gjykatës, që do të shqyrtojë dhe do të vendosë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për vulën dhe logon e PD-së.
Vendimi i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
Një grup deputetësh janë ngarkuar të ndjekin të gjitha hapat ligjor dhe statutor për zbatimin e vendimit të Këshillit, si dhe për përfaqësimin e Partisë Demokratike, në rrugë ligjore për të kundërshtuar çdo akt që bie ndesh me vendimin. Gjithashtu, Këshilli Kombëtar i PD, si organi më i lart drejtues i Partisë, i ka autorizuar deputetët që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kërkojnë çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr të PD Lulzim Basha nga regjistri i partive politike.