Rreziku i vjedhjes së zgjedhjeve tani vjen nga keqinformimi

Nga Anthony Banbury & Mohammad Irfan Abdool Rahman “Politico.eu”

Vendet që përfaqësojnë gati gjysmën e popullsisë së botës do të mbajnë zgjedhje këtë vit. Por ndërsa më shumë votues i drejtohen qendrave të votimit si kurrë më parë, ata që janë përgjegjës për menaxhimin e këtyre zgjedhjeve, po përballen me sfida që janë më të rrezikshme se kurrë më parë, ku shumë prej tyre janë të nxitura nga teknologjia dhe keqinformimi.

Zyrtarët zgjedhorë kanë pasur gjithmonë një punë të vështirë, pasi organizojnë zgjedhje që kërkojnë një logjistikë komplekse dhe në mjedise politike shumë të ngarkuara. Historikisht, më të mirët prej tyre janë përballuar me sukses me këtë sfidë duke iu përmbajtur rreptësisht ligjit zgjedhor, duke i trajtuar të gjithë kandidatët në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, dhe duke qëndruar larg vëmendjes së publikut.

Por edhe pse ende e nevojshme, kjo qasje nuk mjafton. Sepse tani zgjedhjet organizohen në mesin e një “deti” keqinformimi, duke e bërë shumë më të vështirë për votuesit që të dinë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë e gënjeshtërt.

Ndërkohë, udhëheqësit dhe kandidatët autoritarë sulmojnë vazhdimisht administratorët e zgjedhjeve që para se të mbahen zgjedhjet, duke i quajtur ata të korruptuar dhe të paaftë. Dhe ky kombinim e dëmton besimin që votuesit kanë tek organet zgjedhore, zgjedhjet që organizojnë ato, rezultatet e tyre dhe tek e fundit edhe të qeverive që marrin detyrën.

Sot keqinformimi është shndërruar në kërcënimin më të madh për integritetin zgjedhor në shumë vende të botës, gjë që do të thotë se ajo që autoritetet zgjedhore e kanë parë tradicionalisht si detyrimin e tyre më të madh-  organizimin e zgjedhjeve teknikisht kompetente të lira dhe të ndershme – nuk mjafton më.

Përkundrazi, përgjegjësia më e rëndësishme për organet e menaxhimit të zgjedhjeve sot është ndërtimi dhe ruajtja e besimit të votuesve në integritetin e procesit zgjedhor. Dhe kjo kërkon një komunikim të vazhdueshëm pro-aktiv dhe të drejtpërdrejtë me votuesit.

Gjithsesi, autoritetet zgjedhore nuk mund ta kryejnë të vetme këtë punë. Zyrtarët e zgjedhur, partitë politike, kandidatët, mediat dhe shoqëria civile, kanë të gjithë role të rëndësishme për të luajtur. Po ashtu edhe kompanitë e teknologjisë.

Platformat online të kompanive të mëdha të teknologjisë përdoren shpesh nga aktorë keqdashës për të përhapur gënjeshtra. Fatmirësisht, disa nga këto kompani i kanë marrë seriozisht përgjegjësitë e tyre në këtë fushë, duke formuar ekipe zgjedhore dhe duke marrë vullnetarisht angazhime për të kufizuar përdorimin e përmbajtjeve të lidhura me zgjedhjet e prodhuara nga AI.

Megjithatë, deri më sot, masat për të zbutur ndikimin e teknologjisë në zgjedhje janë fokusuar përgjithësisht tek demokracitë perëndimore. Ndërsa në shumë vende të botës, nuk ka ende një kanal efektiv komunikimi midis autoriteteve zgjedhore dhe kompanive të mëdha të teknologjisë, dhe asnjë mjet efektiv që mund të zgjedhin të hedhin zyrtarët zgjedhorë kundër përhapjes së shfrenuar të informatave të rreme në lidhje me sjelljen aktuale zgjedhore.

Dhe me zgjedhjet e këtij viti që zhvillohen në demokraci si në të forta po ashtu edhe në të dobëta, duke përfshirë shumë në Jugun Global, fushëveprimi i këtyre masave duhet të zgjerohet, duke i lidhur përfundimisht këto dy botë.

Në këtë drejtim, Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore bëri bashkë në një tryezë zyrtarët e zgjedhjeve me përfaqësues të kompanive të mëdha të teknologjisë dhe shoqërisë civile, në mënyrë që ata të mund të fillojnë ndërtimin e këtyre urave.

Pjesëmarrësit përfshinin drejtues nga  Google, Meta, Microsoft, Fondacioni Rockefeller, Snap dhe TikTok, si dhe zyrtarë aktualë dhe ish-zgjedhorë nga Bosnje Hercegovina, Mauritius, Meksika, Filipinet dhe Suedia. Dhe së bashku, ne zhvilluam një grup Udhëzuesish Vullnetar të Integritetit Zgjedhor për Kompanitë e Teknologjisë.

Ndërsa ka pasur shumë angazhime dhe politika në lidhje me teknologjinë dhe demokracinë, këto janë udhëzimet e para që do të hartohen nga praktikuesit e zgjedhjeve dhe kompanitë e teknologjisë në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Dhe ndërsa ato nuk do t’i zgjidhin që të gjitha problemet që lidhen me zgjedhjet dhe keqinformimin –  për shembull, nuk do të zbatohen nga të gjitha kompanitë në të gjitha vendet që do të mbajnë zgjedhje në të ardhmen – udhëzimet do të japin një kontribut të vlefshëm drejt adresimit të problemeve.

Së pari, këto masa do të fillojnë të ndërtojnë një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi midis administratorëve profesionistë të zgjedhjeve në të gjithë botën dhe ekipeve të teknologjisë që bashkëpunojnë në zgjedhje, sidomos në vende ku një marrëdhënie e tillë aktualisht nuk ekziston.

Së dyti, ato do të ofrojnë gjithashtu një bazë mbi të cilën mund të ndiqet bashkëpunimi i mëtejshëm mbi keqinformimin në lidhje me procesin zgjedhor. Duke u mbështetur tek këto udhëzime, kompanitë e teknologjisë do të kenë një qasje të drejtpërdrejtë në burime të autorizuara të informacionit mbi zgjedhjet e ardhshme.

Si për shembull se si të regjistroheni për të votuar, ku dhe kur të votoni, dhe cilët janë kandidatët dhe partitë në zgjedhje të caktuar, të dhëna që më pas mund të jenë të disponueshme për përdoruesit e tyre. Dhe kur platformat online përdoren për të përhapur qëllimisht informacione të gabuara, zyrtarët zgjedhorë do të jenë në gjendje të komunikojnë drejtpërdrejt me kompanitë e teknologjisë.

Pra teknologjia mund t’i shërbejë shumë mirë demokracisë. Dhe nëse sektori i teknologjisë bashkëpunon me administratorët e zgjedhjeve, ata mund të ndihmojnë më mirë në mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve, si dhe ripërtëritjen e besimit të publikut në proceset zgjedhore. Çelësi është bashkëpunimi.

Shënim:Anthony Banbury, president i Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore. Mohammad Irfan Abdool Rahman, komisioneri zgjedhor në Mauritius.