Drejtuesi politik i qarkut Fier, Taulant Balla, në nje deklaratë për mediat ka reaguar në lidhje me protestën e sotme të fermerëve të luleshtrydhes në Kafaraj, duke iu bashkuar shqetësimit të tyre.
Fermerët protestuan sot për çmimin e ulët të luleshtrydheve që po shiten me 40 lekë të reja. Ata kanë kundërshtuar fuqishëm dhe politikat e pikave të grumbullimit të cilat sipas tyre po e vendosin çmimin sipas dëshirës teksa apelojnë njëzëri për të gjitha institucionet përgjegjëse që tu vijnë në ndihmë në këtë situatë të vështirë që po i con drejt falimentimit.
Në nje deklaratë për mediat Balla u shpreh se i bashkohet shqetësimit të fermerëve.
Sipas Ballës kjo situatë ka ardhur si shkak i dezinformimit të disa mediave e portaleve të vendeve fqinje për te prishur imazhin e cilësisë së produkteve shqiptare, teksa u ka bërë thirrje kultivuesve që në këtë periudhë të shmangin përdorimin e pesticideve për të patur prodhim tërësisht bio.
“Mendoj që në mënyrë të padrejtë, prodhimi shqiptar është sulmuar nga interesa keqdashëse. Unë kam reaguar lidhur me disa portale në Boshnje Hercegovinë apo në vende të tjera, të cilat në mënyrë keqdashëse kanë shpërndarë lajme të pavërteta lidhur me pastërtinë biologjike të prodhimeve shqiptare, të prodhimeve shqiptare, jo vetëm të luleshtrydhes por edhe të produkteve të tjera.
Ky produkt ka rënë pre e një fushate dezinformimi dhe prodhuesit duhet të kuptojnë që kjo ka ndodhur dhe në këtë periudhë kemi edhe një rënie të konsumit. Fermerët të vazhdojnë të merren me prodhimin por të jenë të kujdesshëm për përdorimin e plehrave kimike, biologjike dhe gjithçka tjetër sepse çdo produkt kontrollohet në mënyrë strikte.
Na duhet të rritim kontrollin e AKU-së ndaj atyre faramcive veterinare që duhet të kontrollohen por edhe fermerët duhet të konsultohen më shumë me ekspertët”, është shprehur Balla.