U dënua për abuzim seksual, lirohet me kusht Dani Alves, ish-ylli i Barcelonës do paguajë 1 milion euro garanci

Ish-futbollisti i Brazilit dhe Barcelonës, Dani Alves i cili u dënua me 4 vite e 6 muaj burg pasi u shpall fajtor për sulm seksual, është liruar nga gjykata në këmbim të një garancie 1 milion euro.

Braziliani do duhet po ashtu të dorëzoj pasaportën e tij braziliane dhe spanjolle, të qëndrojë në Spanjë dhe të paraqitet çdo javë në gjykatë.

Alves e ka të ndaluar t’i afrohet denoncueses në një distancë prej 1000 metrash nga shtëpia e saj, si dhe nga vendi i saj i punës dhe çdo vend tjetër që frekuenton. 

Gjykata e lartë e Katalonjës e shpalli Alves fajtor për sulm seksual ndaj një vajze në një klub nate në Barcelonë në prag të Vitit të Ri në 2022. Viktima tha se Alves e përdhunoi atë në një tualet të klubit. Po ashtu, Alves u urdhërua nga gjykata t’i paguante viktimës 150,000 euro.

Ish-mbrojtësi i djathtë 40-vjeçar u arrestua në janar 2023. Ai ka qenë i ndaluar që atëherë dhe kërkesa për lirim me kusht u refuzua pas dyshimeve se ai mund të largohej.

Prokurorëve të shtetit, viktima u tha se natën e sulmit, ajo kërceu me Alves dhe me dëshirë hyri në tualetin e klubit të natës, por kur më vonë donte të largohej, ai nuk e la.

Ajo tha se më pas ai e goditi, e ofendoi dhe e detyroi të kryente marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj.

Alves mohoi çdo akuzë gjatë gjyqit, duke i thënë gjykatës: “Unë nuk jam ai lloj njeriu”.

Më vonë pranoi se kishte pasur marrëdhënie seksuale me gruan, por tha se ato ishin konsensuale.