Historia tronditëse e Oksanës, fëmijës që jetoi për 5 vite me një lukuni qensh endacakë

Në një natë shumë të ftohtë në vitet 1980, 3-vjeçarja ukrainase Oksana Malaja u la jashtë nga prindërit e saj të alkoolizuar. E dëshpëruar për ngrohtësi dhe strehë, ajo ndoqi nga pas qenin e saj Naida drejt një tufe qensh endacakë. Ajo do të jetonte me ta për 5 pesë vite në pyll.

Gjatë kësaj kohe, ajo fitoi një sërë sjelljesh të ngjashme me qentë. Kur autoritetet e gjetën më në fund, ajo sillej plotësisht si një qen, duke u zvarritur këmbë e duar, duke lehur dhe duke fjetur në dysheme. Oksana Oleksandrivna Malaja lindi më 4 nëntor 1983. Ajo u rrit në varfëri ekstreme në Nova Blagovishçenka të Ukrainës.

Prindërit e saj, që përballeshin me varësinë e theksuar nga alkooli, e shpërfillën atë për pjesën më të madhe të fëmijërisë. “Mamaja kishte shumë fëmijë. Ne nuk kishim mjaftueshëm shtretër për të gjithë”- do të deklaronte më vonë Oksana.

Prandaj kur iu mbyll dera dhe u la jashtë shtëpisë një natë, ajo iu bashkua një tufe qensh endacakë, të cilët mbijetonin duke konsumuar mbeturina. Gradualisht ajo e humbi të gjithë aftësinë për të folur, dhe komunikonte vetëm me lehje dhe ulërima.

“Unë flisja me ta, ata lehnin dhe unë do ta përsërisja të lehurën e tyre. Kjo ishte mënyra jonë e komunikimit”-tregon më tej Oksana. Jeta e saj e pazakontë, kaloi pa u vënë re për gati 5 vjet. Vetëm kur Oksana lehu ndaj një fqinji, dikush dyshoi se diçka nuk shkonte.

Kur autoritetet e gjetën Okana Malaja, tufa e qenve endacakë e konsideronte si njërin prej tyre. Ata ishin aq mbrojtës ndaj Oksanës saqë nuk e lejonin policinë t’i afrohej. Oficerët u detyruan që t’i joshnin qentë me ushqim që të mund ta merrnin Oksanën.

Ajo u dërgua në shtëpinë e fëmijëve, ku iu nënshtrua për disa vite një terapie intensive të specializuar dhe edukimi special. “Ajo ishte më shumë si një qen i vogël sesa një fëmijë njeriu. Ajo nxirrte gjuhën kur shihte ujë dhe hante me gjuhë dhe jo me duar”- do të tregonte drejtoresha e institutit.

Pavarësisht se nuk fliste asnjë gjuhë njerëzore deri sa ishte thuajse 8-vjeç, ajo e përvetësoi shumë shpejt gjuhën ukrainase dhe aftësitë e tjera bazë. Por mjekët e saj, thanë se nuk kishte gjasa që të rehabilitohej plotësisht. Edhe pse sot Oksana tani është mbi 40 vjeç, studiuesit e konsiderojnë ende nivelin e saj të zhvillimit dhe aftësisë intelektuale të krahasueshme me atë të një 6-vjeçareje.

Sot Oskana Malaja jeton në një shtëpi të kujdesit të veçantë, ku e kalon pjesën më të madhe të kohës duke u kujdesur për kafshët. Pavarësisht përparimit të saj, ajo thotë se ndonjëherë i kthehet sjelljes së një qeni. “Kur ndihem e vetmuar… zvarritem me duart e këmbë. Për shkak se nuk kam njerëz të afërt, e kaloj kohën me qentë, shëtis dhe bëj çfarë të dua. Askush nuk e vëren që unë eci ashtu”- shton ajo.

Rasti i Oksanës po nxit debatin shkencor rreth “natyrës përkundrejt edukimit” kur flitet mbi mënyrën se si rritet një fëmijë. Në kontekstin e këtij debati, “natyra” i referohet qenies së lindur të një personi, të paracaktuar nga faktorë si gjenetika. Nga ana tjetër “edukata”, nënkupton faktorët mjedisorë gjatë zhvillimit të një fëmije, si ndërveprimi social, përvojat e fëmijërisë dhe nëse plotësohen apo jo nevojat themelore.

Personaliteti dhe tiparet e sjelljes, qëndrojnë në qendër të këtij debati. Për shembull, a kanë lindur në këtë mënyrë fëmijët që janë agresivë, apo prirjet e tyre të dhunshme janë rezultat i mënyrës se si janë rritur? Shkencëtarët kanë arritur deri diku një konsensus, sipas të cilit natyra dhe edukimi luajnë role të rëndësishme në formimin e personalitetit.

Por mbetet ende e hapur pyetja:Cili nga të dyja është më me ndikim? Rasti i Oksana Malajës, tregon se edukimi ka një ndikim shumë të madh tek një fëmijë. Fakti që ajo zhvilloi sjellje të ngjashme me qentë – të kompletuara me orekset, zakonet dhe tingujt tipikë të kësaj kafshe – e theksoi rëndësinë e socializimit në formësimin e personalitetit të dikujt.

Vitet e fundit, kërkimet në fushën e epigjenetikës, apo studimit se si faktorët mjedisorë e ndryshojnë mënyrën e funksionimit të gjeneve, i ka dhënë mbështetje teorisë së “natyrës përkundrejt edukimit”, e cila sugjeron se tiparet kanë ndikime të qenësishme gjenetike dhe mjedisore.

Zakonisht, kjo shihet në rastet e shqetësimit ekstrem emocional, sëmundjeve mendore apo çrregullimeve të personalitetit. Një shembull i spikatur është psikopatia, e cila shpesh është e natyrshme në gjenetikën e një personi, por që shkaktohet nga faktorë mjedisorë shumë negativë.

Mjerisht, Oksana Malaja është larg të qenit fëmija i vetëm që ka përjetuar këtë lloj braktisjeje apo neglizhence prindërore. Në vitin 2008, 7-vjeçari rus Vanja Judin u largua nga shtëpia e nënës së tij, kur u zbulua se ajo e kishte rritur atë si një zog.

Ai mund të komunikonte vetëm përmes cicërimave, ndaj u dërgua menjëherë për rehabilitim në një qendër të kujdesit psikologjik. “Nëna e tij mbante zogj shtëpiakë por edhe të egër. Ajo as e rrahu dhe as e la pa ngrënë. Por nuk foli kurrë me të. Ishin të gjithë zogjtë që komunikuan me djalin, dhe i mësuan gjuhën e zogjve. Ai thjesht cicëron dhe kur kupton se nuk është kuptuar, nis të tundë duart ashtu siç zogjtë rrahin krahët”- shkruante gazeta ruse Pravda.

Këta fëmijë hasin shpesh një vështirësi të jashtëzakonshme për t’u ri-integruar në shoqëri, pasi u mungojnë shoqërizimi dhe aftësitë gjuhësore. Ndërsa shumë fëmijë si Oksana, mund t’i rifitojnë deri në një farë mase këto aftësi, Suzan Kërtis, profesore e gjuhësisë, thotë se hapësira për aftësitë gjuhësore duket se mbyllet kur një fëmijë është 5-10 vjeç.

Pas kësaj kohe, mund të fitohen disa aftësi komunikimi dhe një farë fjalori, por jo të kuptuarit e gramatikës dhe aftësisë për të komunikuar në fjali. “A na bën gjuha njerëz? Kjo është një pyetje e vështirë. Është e mundur të dish shumë pak gjuhë, dhe të jesh ende plotësisht njerëzor, të duash, të krijosh marrëdhënie dhe të angazhohesh me botën”- thotë Kërtis për “The Guardian”.