Ekzekutohet në oborrin e banesës ish-polici i burgjeve Gentian Bejtja, disa muaj më parë i vranë kunatin dhe i plagosën fëmijët

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Larush të Fushë Krujës ku është vrarë ish-polici Gentian Bejtja. Ky i fundit u ekzekutua teksa ndodhej në oborrin e banesës së tij në Larushk.

Në korrik të vitit 2023, Bejtja i shpëtoi një atentati por mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan Sino dhe u plagosën fëmijët e tij.

Bejtja, është një emër i njohur për drejtësinë dhe u ka shpëtuar disa atentateve.

Në 9 janar të vitit 2022 Gentian Bejtja ish polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka, i cili ndodhej me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti.

I njohur si ish-mik i Durim Bamit, Gentian Bejtja ka qenë i dyshuar për një seri ngjarjesh në zonën e Fushë-Krujës, por jo vetëm.

Në shtator të vitit 2016, ndaj tij u bë një atentat me tritol. Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë.

Bejtja po ashtu u hetua bashkë me Enver Stafukën si i përfshirë në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt 24 shkurt 2013.