Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës, për armëmbajtje pa leje dhe drogë. Në pranga ra Edevaldo Haxhiaj, i cili është një emër i njohur për policinë dhe Azemvllasi Elezi.
Haxhiaj, është personi i cili ndihmoi bosin turk të kriptomonedhave Faruk Fatih Ozer të fshihej në vendin tonë.
39-vjeçari u arrestua në rrugën “Frang Bardhi” nga Forcat “Shqiponja” ndërsa gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, iu gjetën një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak, dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në rrugën “Frang Bardhi”, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. H., 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, shërbimet e Policisë, i gjetën 39-vjeçarit, një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak, dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë”- njofton policia.
Ndërkohë 34-vjeçari Azemvllasi Elezi, u arrestua pasi në makinën ku ai ishte pasagjer, në momentin e ndalimit, nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, por ka tentuar të largohej dhe gjatë tentativës për tu larguar ka hedhur në tokë, një armë zjarri pistoletë.