Vrasja e 50 vjeçarit Pëllumb Meta ka tronditur opinionin publik ditët e fundit, ndërsa ende nuk është zbardhur se kush ka qenë personi që ka qëlluar mbi babain.
Hygerta Meta ka deklaruar para policisë se ka qenë ajo që ka shkrepur armën, mirëpo pas dëshmive kontradiktore të të tre fëmijëve, hetuesit janë në dyshim.
Vajza do t’i nënshtrohet dy eksperimenteve në një poligon për të kuptuar nëse di të qëllojë me armë apo jo.
Ende nuk dihet arsyeja e vrasjes por sipas neës 24 një nga pistat kryesore është ajo e pasurisë, ndërsa një tjetër e një lidhje të dyshuar jashtëmartesore të viktimës prej vitesh.
Pëllumbi kishtë rreth 12 dynym tokë dhe gjatë kontrolleve në banesë policia nuk i ka gjetur këto dokumente, të cilat i mbante djali i madh, Hyseni, që dyshohet se i kishte premtuar motrës që me lekët e tokës do ta nxirrte nga burgu.
Pëllumbi tokat i kishte në dy parcela, një para banesës, ndërsa tjetrën rreth 2 km larg në një zonë industriale, tokë e cila ishte nxjerrë edhe në shitje. Metri i tokës sipas vëllait të të ndjerit kushton deri në 50 euro, ku në total tokat e Pëllumbit vlenin deri në 500 mijë euro.
Neës24 mëson së këto dokumente të tokës i mbante gjithmonë me vete Hyseni, kudo që ai shkonte. Këtë informacion e disponon edhe grupi hetimor. Hetuesit po vijojnë kërkimet dhe ende nuk janë gjetur këto dokumente, madje dyshohet edhe për bashkëpunëtorë të jashtëm, që mund të kenë ndihmuar djalin e të ndjerit.
Sakaq, një mbishkrim i çuditshëm është vënë re nga hetuesit edhe në murin e kasolles ku fëmijët varrosën të atin. Në mur shkruhet “Eni milioneri, 1 milionë dollar”. Djalin e madh të Pëllumbit Hysenin e thërrisnin shkurt Eni.
Në dëshmitë e tyre fëmijët deklarojnë se konfliktet familjare kanë qenë të vazhdueshme në familje me babanë, konflikti i fundit ishte i Hysenit me të ndjerin, ku Hyseni i kërkonte të atit që t’i blinte një makinë, edhe pse ishte i papunë dhe sapo ishte kthyer nga Italia.
Hyseni kishte qenë më parë emigrant në Angli ku kishte qëndruar edhe në kamp, në një nga kampet ku kanë humbur jetën dhe janë keqatrajuar shumë emigrantë shqiptarë. Në Angli nuk dihet puna që ka kryer Hyseni, por më pas ai kishte shkuar në Itali, ku edhe atje nuk kishte punuar dhe më pas u kthye në Shqipëri. 12 ditë pas kthimit ndodhi edhe krimi, ku fëmijët vranë babanë e tyre. Hetuesit kanë sekuestruar të gjitha telefonat celularë të fëmijëve të të ndjerit dhe ka dyshime se krimi është planifikuar nga fëmijët, përkatësisht nga Hygerta dhe Hyseni dhe ky i fundit u kthye në Shqipëri për të realizuar planin.
Por, pse fëmijët kishin kaq shumë urrejtje ndaj babait të tyre së bashku me nënën dhe u bënë bashkë në këtë krim? Hetuesit po hetojnë edhe një lidhje të dyshuar jashtëmartesore të viktimës prej vitesh, ku dyshohet se në dijeni ishin edhe bashkëshortja e Pëllumbit dhe fëmijët dhe ky shkak mund të ketë çuar në konfliktet të vazhdueshme familjare dhe se ka qenë bashkëshortja që mund t’i ketë rritur fëmijët me një urrejtje ndaj të atit, aq sa u bënë të gjithë bashkë për të vrarë atë.