Nga Aureliano Ulndreaj
Ndonjëherë, kur një grua keqtrajtohet vazhdimisht nga burri i saj dhe ajo vazhdon marrëdhënien me të, një person që mund të dëshmojë këtë mungesë reagimi nga ana e saj, mund të pyesë veten “Pse? Pse ajo qëndron me të? Pse ajo vazhdon t’i pranojë këto ofendime dhe të pretendojë se gjithçka është në rregull? A nuk dëshiron të trajtohet më mirë, të trajtohet ashtu siç e meriton? A nuk dëshiron të jetë e lumtur, në fund të fundit?”. Të gjithëve këtyre pyetjeve, edhe pse logjike, u mungon një që mund të jetë edhe përgjigja e këtij kurioziteti. “Po nëse asaj i pëlqen të trajtohet në këtë mënyrë? Po sikur të ketë zero respekt për veten e saj dhe mendon se kjo është çfarë ajo meriton? Po sikur të jetë mësuar kaq shumë me këtë lloj trajtimi, me këtë mënyrë jetese, për një kohë aq të gjatë sa ajo nuk di dhe nuk pret asgjë më shumë më?”.
Shpjegimi për këto pyetje bazohet ndoshta në faktin se ajo nuk ka reaguar herën e parë kur është dhunuar. Ajo nuk reagoi herën e dytë, të tretë edhe kështu me radhë. Kur abuzuesi i saj e goditi për herë të parë, ai e bëri me hezitim, me frike, duke u menduar mirë përpara se të bënte atë që kishte në mendje të bënte. Ky hezitim i tij, kjo frikë fillestare i erdhi në mendje para se ta godiste sepse nuk e dinte si do të reagonte ajo. “A do të përpiqet të shmangë sulmin tim? A do të më bërtasë ajo? A do të më godasë ? A do të largohet prej meje, përgjithmonë?”. Kur asnjë nga këto nuk ndodhi herën e parë, të dytë dhe të tretë që e goditi, abuzuesi i saj e kuptoi se ai mund të vepronte në këtë mënyrë përjetësisht, pa asnjë pasojë. Tashti, pyesni veten, “Kush është realisht fajtor për atë që ndodh mes tyre? Ai apo ajo?”. Në të njëjtën mënyrë, po ju pyes edhe unë. Kush e ka fajin për raportin jofunksional mes shoqërisë shqiptare dhe abuzuesve të saj historikë? Përgjigja, edhe pse mund të duket kundërintuitive për ne shqiptarët, nuk është abuzuesit, nuk është klasa politike shqiptare; por ne. Kur për 30 vitet e fundit nuk kemi reaguar dhe nuk jemi kundërpërgjigjur, atëherë abuzuesi ynë do të vazhdojë aktin e tij të përditshëm, çdo herë me më pak hezitim, frikë dhe turp.
Nuk ka asnjë ditë që të mos keni diskutime ku njerëzit të shprehin mospëlqime dhe kritika ndaj përfaqësuesve të tyre politikë. Nuk ka asnjë koment apo argument me të cilin nuk do të pajtoheni. Dhe nuk do të ketë emocion negativ, si trishtim apo zhgënjim, që nuk do ta ndani me këta njerëz. Madje, ndonjëherë, mund të ndodh që gjatë këtyre diskutimeve do të njihni një person, që do të jetë aq i apasionuar pas mosaprovimit të tij ndaj abuzuesit tonë të përbashkët, saqë për një moment të shkurtër do t’ju frymëzojë dhe do t’ju bëjë të besoni se ai është nga ata të pakët që nuk do të gjunjëzohet para abuzuesve tanë, që do t’i shohë drejt në sy, do t’i luftojë dhe do t’i largojë një herë e përgjithmonë. Por, siç ka ndodhur në 30 vitet e fundit, ky nuk është gjë tjetër përveçse një moment i shkurtër i përbërë nga një shprese iluzionare. Pavarësisht se sa të apasionuara dhe të sinqerta mund të jenë idetë tuaja, nëse ato nuk realizohen me veprime, këto ide të bukura do të mbeten të fshehura përgjithmonë në një cep të vogël dhe të errët të mendjes suaj.
Tridhjetë vjet nuk është një periudhë e shkurtër kohore, veçanërisht në aspektin shoqëror. Tridhjetë vjet është një brez i tërë. Një brez, që siç duket në rastin e Shqipërisë, nuk do të përmendet fare në librat e historisë. Një brez që lindi, jeton dhe do të vdesë, pa e vënë re askush që ka ekzistuar ndonjëherë. Megjithatë, për të qenë pak bujarë në këtë vlerësim për ne të rinjtë shqiptarë, nëse do të na kujtojë historia jonë, do të kujtohemi si ata të rinj që kishin të gjithë potencialin për të qenë faktori vendimtar për përparimin e shoqërisë sonë, por në zgjodhëm komfortin dhe sigurinë e heshtjes. Një reagim tipik apatie që karakterizon vërtet atë person, zemra e të cilit ndoshta vazhdon të rrahë, por shpirti i tij është plotësisht i humbur.
Kjo mungesë reagimi ndoshta tregon se ky brez pret që aktorët aktualë politikë të vazhdojnë ta udhëheqin këtë vend dhe të përfundojnë tranzicionin famëkeq politik, ekonomik dhe mbi të gjitha, social. Tranzicioni nga një periudhë ku diktatorët vrisnin të lirë, si një kafshë e uritur dhe e etur, në një periudhë demokratike ku njerëzit do të zgjidhnin vetë se si të jetonin jetën e tyre. Por ky tranzicion nuk ka përfunduar. Në fakt as që ka filluar fare. E si mundet, kur ky proces është kontrolluar nga njerëz me të njëjtin mentalitet social dhe politik si paraardhësit e tyre diktatorialë, të cilët publikisht i anatemojnë, por privatisht i admirojnë. A mund të prisni vërtet që një abuzues të kritikojë dhe të rrëzojë një abuzues tjetër? Do të ishte sikur një gomar të përpiqej t’i jepte leksione inteligjence një gomari tjetër. Rrugëtimi drejt progresit nuk mund të jetë kurrë i suksesshëm kur burimi i tij i frymëzimit është i korruptuar në mënyrë të pakthyeshme. Unë sinqerisht shpresoj që bashkëqytetarët e mi ta kenë kuptuar më në fund se të gjitha këto premtime për revolucione, të gjitha këto premtime për demokraci dhe prosperitet, të gjitha këto gënjeshtra ambicioze nuk janë gjë tjetër veçse gënjeshtra të përsëritura nga të njëjtët gënjeshtarë. Në shoqëritë jo-demokratike përhapja e kësaj lloj propagande ndodh sepse një person që dëshiron një realitet tjetër, nuk është në gjendje të mbulojë veshët e tij dhe t’i rezistojë propagandës, ndoshta sepse i ka duart të lidhura.
Shumë argumentojnë që deficiti ynë demokratik është rezultat i një sistemi politik jofunksional, i cili është i pamundur të ndryshohet nga brenda duke u bërë pjesë e tij. Edhe sikur të jeni njeriu më parimor dhe moral, kur të hyni në këtë komunitet të vogël politik, vetë sistemi dhe njerëzit e tij do t’ju korruptojnë pak nga pak, pa e kuptuar fare. Prandaj, nëse zgjidhja nuk mund të vijë nga brenda sistemit, atëherë si? Shumë njerëz duke mos qenë në gjendje t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, dorëzohen dhe pranojnë këtë situatë të padëshirueshme, situatë e cila sipas tyre nuk do të ndryshojë kurrë. Rrjedhimisht, atyre u mbeten vetëm dy opsione të mundshme; ose prano që ke humbur (edhe pse nuk je munduar kurrë të luftosh dhe të fitosh) dhe bashkohu me abuzuesit tanë, ose largohu. Ata që zgjodhën opsionin e parë, sigurisht që po gëzojnë privilegjet e të qenit pjesë e sistemit. Por, mes tyre ka nga ata që nuk i harruan asnjëherë aspiratat dhe parimet e tyre idealiste. Edhe pse nuk do ta pranojnë kurrë, thellë brenda vetes se tyre e dinë se çfarëdo privilegji që gëzojnë sot nuk është ajo që kërkuan për veten dhe nga vetja e tyre. Thellë brenda vetes se tyre, ata e dinë se duke iu dorëzuar tundimeve të pasurisë, luksit dhe statusit shoqëror, ata tradhtuan idetë dhe parimet e tyre, një sërë vlerash që i përfaqësonin ata si njerëz, vlera që i bënin krenarë. Një qëndrim jete që frymëzonte njerëz të tjerë të besonin tek ata, t’i admironin dhe, nëse do të kishin bërë një zgjedhje tjetër kur do të gjendeshin përballë dilemës së qëndrueshmërisë së guximshme ose të shitjes së tyre, t’i ndiqnin edhe në luftë. Këta njerëz që besuan tek ty u ndjenë të tradhtuar nga zgjedhja jote, por të jesh i sigurt se ai që po ndihet më i tradhtuar se kushdo tjetër je vetë ti. Para se të tradhtoje njerëzit që besuan në ty, ti tradhtove njeriun më të rëndësishëm, veten. Të gjitha këto ide, të gjitha këto parime që vendose të shkelësh dhe t’u ktheje shpinën, të gjitha këto vlera ishin gjërat që të bënin të respektosh dhe të admirosh veten. Kur zgjedh t’u kthesh shpinën këtyre vlerave, zgjedh t’i kthesh shpinën vetes. Tashmë e kupton se duke shitur veten tënde, sot ti thjesht arrin me përmbush nevojat tua të përditshme, shtazarake dhe asgjë më shumë. Një ‘filozof’ shqiptar, i cili është shumë i njohur për publikun për veprimtaritë e tij famëkeqe, kriminale gjatë vitit shkatërrimtar të 1997, deklaroi dikur me krenari kur u intervistua nga një media e huaj se “Ne shqiptarët duam vetëm tre gjëra në jetë; të hamë, të pimë dhe të argëtohemi”. Nëse e gjeni veten brenda këtyre fjalëve, atëherë nuk ka asgjë tjetër për të thënë. Nëse vërtet kështu mendonte njerëzimi historikisht, atëherë nuk do të përdornim fjalë për të komunikuar në ditët e sotme, por përkundrazi do të komunikonim me epifonimat të tipit “Ouga, Ouga…ouga, ouga, ouga”.
Ekziston një zgjedhje tjetër që mund të bëjmë kur ne vetë do të përballemi me dilemën e besnikërisë apo tradhtisë. Nëse vërtet dëshiron diçka, ndonjëherë duhet ta marrësh me forcë dhe jo të pyesësh. Kur Aleksandri i Madh mbërriti në Gordium në vitin 333 p.e.s me ushtrinë e tij,
shkoi në pallatin mbretëror të këtij qyteti dhe në sallën qendrore pa karrocën e famshme të Gordius (kushtim për Zeusin) e cila ishte e lidhur me disa nyje, fort të ngatërruara sa ishte e pamundur të gjeje fillimin e njërës dhe fundin e tjetrës. Sipas traditës, kushdo që do të arrinte të zgjidhte Nyjet Gordiane do të sundonte Azinë. Shumë ishin përpjekur ti zgjidhnin në të kaluarën, por askush nuk ia kishte dalë kurrë. Pasi Aleksandri iu afrua statujës dhe hodhi një vështrim nga afër në ‘prangat’ rreth saj, ai arriti t’i zgjidhte ato. Si? Ai as që u përpoq ti zgjidhte siç kishin tentuar të tjerët para tij, sepse e dinte që e njëjta zgjidhje që kishin ofruar ata rezultonte gjithmonë në dështim. Ajo që bëri ishte se i preu nyjet përgjysmë me shpatën e tij. Pasi statuja u çlirua përfundimisht nga ‘burgu’ i saj, Aleksandri deklaroi qe “Diçka që nuk zgjidhet, ndonjëherë duhet të copëtohet që të çlirohet”.
Ne shqiptarët e kemi dëshmuar vazhdimisht që e kemi humbur pothuajse tërësisht sensin e luftimit për të arritur objektivin tonë. Një herë, gjatë një mëngjesi të këndshëm, në një qytet të largët, pas një diskutimi shumë frymëzues mes 100 të rinjve rreth një ‘krimi kulturor’ që po kryhej në qytet nga qeveria, u vendos mes tyre që të nesërmen të gjithë ata të mblidheshin dhe të shkonin të protestonin kundër këtij krimi, ta luftonin dhe ta parandalonin. Të gjithë ata u larguan nga ky takim me një ndjenjë entuziazmi dhe pritshmërie të lartë për të nesërmen. Megjithatë, me kalimin e orëve dhe mbërritjen e errësirës së natës, këto emocione filluan të shuheshin. Njëri prej tyre, teksa ishte në shtëpinë e tij, u pyet nga familja për perspektivat e protestës dhe pas diskutimit mes tyre, ai mendoi me vete: “Nuk ka problem nëse nuk i bashkohem protestës; 99 të tjerët do të shkojnë të protestojnë. Nëse një mungon nuk do të jetë problem”. Të njëjtën gjë mendoi dhe një tjetër anëtar i protestës: “Nuk ka problem nëse nuk shkoj në protestë derisa do të shkojnë të protestojnë 99 të tjerë. Nëse një mungon nuk do të jetë problem”. Kështu veproi një tjetër, dhe një tjetër dhe kështu me radhë. A u zhvillua një protestë të nesërmen, apo ushtria e ‘diktatorit’ marshoi nëpër qytet dhe shkatërroi atë që kishte synuar, pa u shqetësuar aspak? Një ditë tjetër pune për ta, kurse për ne… një tjetër hap drejt një fundi të pakthyeshëm. Tashti, pyetja ime është, “Kush është me të vërtetë fajtor që ne jemi keqtrajtuar në këtë rast? Abuzuesi ynë apo vetë në?”. Më në fund, duhet të kuptojmë që Shqipëria ka nevojë për njerëz që punojnë më shumë dhe kritikojnë më pak. Që ndërtojnë më shumë dhe shkatërrojnë më pak. Që realizojnë më shumë dhe premtojnë më pak. Që japin më shumë dhe kërkojnë më pak…që thonë TASHTI dhe jo nesër. Këta njerëz duhet të ecin me fytyrën e tyre drejt diellit. Dhe dielli do t’u djegë ballin dhe duke e djegur do ta vulosë me shenjën e nderit. Pjesa tjetër që do të zgjedhë të ecë e përkulur, nuk do ta ketë kurrë këtë nder. Në një kryengritje të vërtetë, ose triumfon ose vdes.
E pranoj faktin që të zgjedhësh të luftosh dhe madje të sakrifikosh gjëra që janë shumë të vlefshme për ty kërkon shumë guxim. Ne shqiptarët krenohemi me faktin që karakteristika jonë më e njohur kombëtare është trimëria duke qenë se kurrë nuk kemi heq dorë nga një sfidë apo një luftë. Por, guximi që kërkohet në këtë rast, nuk është ai që tregoni kur ndryshoni me duart tuaja ‘artistike’ ngjyrën e lëkurës së gruas tuaj në mavi. Nuk është ambicia dhe gara shoqërore mes nesh që t’i tregojmë njëri-tjetrit se kush është më dinak për t’u bërë i pasur dhe i suksesshëm. Trimëri nuk është të rrezikosh lirinë tënde për t’u pasuruar duke shkatërruar fizikisht dhe mendërisht të rinjtë me produktin tënd të ‘bardhë’. Dhe trimëri nuk është të sakrifikosh vetëvlerësimin tënd duke shitur trupin tënd te personi me oferten më të lartë. Trimënia që kërkohet në këtë rast është ajo ku sakrifikoni gjithçka për t’u qëndruar besnik ideve dhe parimeve tuaja; për të qëndruar besnik ndaj vetes suaj.
I vetmi antidot për këtë shoqëri gati tërësisht të kalbur është inoshenca morale dhe besnikëria ndaj ideve dhe parimeve. Nëse mendon se kjo shoqëri dhe shtet do të ndryshojnë për mirë duke vazhduar citimin e të njëjtave leksioneve të vjetra popullore për brezin e ri, leksione si “Djali im, shko bëhu trafikant droge qe të fitosh influencë shoqërore, dhe ti bija ime shko bëhu prostitutë qe të bëhesh e pasur…”, atëherë dijeni që në baltë jemi të zhytur deri në fyt dhe në baltë do të mbetemi përjetësisht. Fati gjithmonë ju servir atë që keni porositur. Nëse keni porositur prapambetje, dhimbje dhe lot… prapambetje, dhimbje dhe lot do t’ju serviret. Nëse porosisni drejtësi, progres dhe buzëqeshje, atëherë të jeni të bindur që drejtësi, progres dhe buzëqeshje do t’ju shërbehet. Më në fund, populli shqiptar duhet të vendosë se çfarë dëshiron.
Si përfundim, për ata që do të lexojnë këtë shkrim dhe mund të thonë se të gjitha këto janë fjalë të bukura, por pa vlerë sepse burojnë nga një idealizëm rinor, atëherë këtyre budallenjve, të cilëve ‘realizmi’ cinik na ka sjellë në këtë situatë të turpshme, do t’u përgjigjesha: “Më mirë të keni një rini që ëndërron nën efektin e idealizmit, sesa një rini që ëndërron nën efektin e drogës”. Në fund të fundit, fjalët lindin në gojën e dikujt dhe shumica e tyre vdesin në veshët e dikujt tjetër. Vetëm ato që arrijnë në burimin e ndjenjave të popullit, do mbijetojnë.