Plagosi me armë shokun pas sherrit për lojën me tavëll, autori vetëdorëzohet në polici

Është vetëdorëzuar në polici 43-vjeçari Perlat Merlika, i cili një natë më parë plagosi shokun e tij Artan Goga. Konflikti mes tyre lindi pas një loje me tavëll, në një lokal në Krujë.

Pas sherrit banal, pasi kanë dalë nga lokali, Merlika e ka qëlluar me armë Gogën, të cilin plumbi e ka zënë në shpatull.

Pas krimit, autori Perlat Merlika është larguar në drejtim të paditur ndërsa sot u vetëdorëzua në polici. Sa i takon të plagosurit, ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

“Ditën e sotme, është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Krujë dhe u arrestua shtetasi P. M., 43 vjeç, banues në Krujë. Ky shtetas, ditën e djeshme, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. G., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, sqaroi policia.