Zhdukja e Ervis Martinajt, Balla-gazetarëve: S’do jetë e largët dita kur do të kemi një komunikim bashkë për këtë çështje

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka folur sot nga Lezha në lidhje me fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, i zhdukur prej më shumë se një viti.

Teksa u ndal në një komunikim për gazetarët, pas analizës vjetore të Drejtorisë Vendore të Policisë së Lezhës, Balla ashtu siç ka deklaruar edhe më herët tha se çështja është nën hetim dhe paralajmëroi se së shpejti do të ketë edhe një komunikim për këtë çështje.

“Unë e kam thënë që kjo mbetet një gur peshe i rëndësishëm sa i përket llogaridhënies sonë ndaj publikut dhe ligjit. Besoj që nuk do të jetë e largët dita kur do të kemi edhe një komunikim së bashku për këtë çështje- u shpreh Balla.

Ndërkohë Balla u ndal tek vrasjet pa autor të muajve dhe viteve të fundit, ku tha se shumë shpejt do të ketë rezultate të shpejta në zbardhjen e këtyre ngjarjeve kriminale që kanë ndodhur në këtë qark.