Kalohen për gjykim të akuzuarit e dosjes “Plumbi i artë”, dosja për Talo Çelën rikthehet për hetim

Dosja mbi operacionin “Plumbi i Artë”, i zhvilluar me urdhër të SPAK më 19 maj të vitit 2022, ka kaluar për gjykim.

Dosja për Talo Çelën në lidhje me dy vrasje është rikthyer për hetim. Talo Çela dyshohej se fshihej pas atentatit me armë zjarri të dy vëllezërve Haxhia në Durrës, por SPAK e ka pushuar tashmë këtë çështje, pasi rezultoi se i penduari Henrik Hoxhaj nuk kishte dhënë informacione të sakta. SPAK kishte pushuar edhe çështjet për Dorjan Shkozën dhe Angelo Avdijan, por për vrasjen e këtyre dy të fundit gjykata ka kërkuar rikthim hetimesh.

Ndërkohë në lidhje me të akuzuarin Florent Çekrezi, është pushuar akuza për pjesëmarrje në grup kriminal dhe do të gjykohet vetëm për mbajtje pa leje të municioneve.

Operacioni “Plumbi i Artë” goditi 8 grupe kriminale në Elbasan, Durrës dhe Tiranë, në maj të 2022, ku nga 32 urdhër arreste të lëshuar, u ekzekutuan 18. Megaoperacioni erdhi menjëherë pas arrestimit të të shumë kërkuarit Nuredin Dumani,  i cili u kap gjatë operacionit policor të koduar “Arratia” në Fier, më 29 mars dhe u bë i penduari i drejtësisë. Për të njëjtën çështje u pendua edhe Henrik Hoxhaj, por gjatë hetimit, SPAK prishi marrëveshjen e bashkëpunimit me të.

Talo Çela  është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.