Një 50-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi kërcënonte me jetë gruan dhe fëmijët e tij.
Siç njofton policia, ditën e djeshme dhe në mënyrë të vazhdueshme, 50-vjeçari Agim Biraçi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tyre, si dhe i ka kanosur ata me mjet prerës thikë, se do ti vriste.
Ai u arrestua në flagrancë nga policia e kryeqytetit duke parandaluar krimin e rëndë. Ndërkohë kjo ngjarje e rëndë vjen pas asaj që u zbulua dje ku 35-vjeçari Jetnor Zhaboli, mbante të kyçur gruan dhe fëmijët e tij, ndërsa kishte vendosur kamera sigurie kudo, edhe në tualet, për t’i monitoruar ata.
Në mënyrë të vazhdueshme Zhaboli ndalonte komunikimin me persona të tjerë, duke instaluar edhe një pajisje që ndalonte valët e telefonit në banesë. Dhuna fizike dhe psikologjike ishte bërë aq e rëndë sa gruaja kishte tentuar të kryente dhe vetëvrasjen.
Njoftimi i policisë:
Brenda orëve të fundit, falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, parandalohet një ngjarje tjetër kriminale, në një familje.
Ushtronte dhunë, në mënyrë të vazhdueshme, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tyre, dhe i kanoste ato me jetë, vihet në pranga 50-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të çdo shtetasi, që përbën rrezik potencial për sigurinë e të tjerëve, pas marrjes së njoftimit se në Shkozë, një shtetas po kanoste me mjet prerës, bashkëshorten e tij, se do ta vriste, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta u arrestua në flagrancë shtetasi A. B., 50 vjeç, banues në Shkozë.
Shtetasi A. B., ditën e djeshme, dhe në mënyrë të vazhdueshme, në Shkozë, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, dhe fëmijëve të tyre, si dhe i ka kanosur ata me mjet prerës thikë, se do ti vriste.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.