83.3 milionë dollarë dëmshpërblim për shpifje duhet të paguajë ish-presidenti amerikan Donald Trump ndaj shkrimtares E. Jean Carroll.
Vendimi u mor dje nga një juri e Nju Jorkut për ish-presidentin në lidhje me deklaratat e tij përçmuese dhe mohimin e akuzave për përdhunim në vitin 2019 kur ai ishte president i SHBA.
Sipas jurisë komentet e Trump kishin dëmtuar reputacionin dhe mirëqenien emocionale të shkrimtares.
Avokati i saj, Robbie Kaplan, tha në një deklaratë: “Vendimi i sotëm dëshmon se ligji vlen për të gjithë në vendin tonë, madje edhe për të pasurit, madje edhe për të famshmit, madje edhe për ish-presidentët”.
Teksa e quajti vendimin “absolutisht qesharak”, Trump deklaroi se do ta apelojë.
Vendimi i së premtes i jurisë vjen ndërsa zoti Trump po shkon drejt fitores për të tretën herë radhazi në garat paraprake për president. Ai ka kërkuar t’i kthejë proceset ndaj tij në një avantazh, duke i cilësuar ato si dëshmi të një sistemi që po përdoret politikisht kundër tij.