Deklarata e Kurtit që acaroi Ramën deri në sanksion ndaj Kosovës

Propozimi i Kryeministrit Edi Rama me një draft të pakonsultuar duket se acaroi marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Kosovës në kulm. Menjëherë pas këtij propozimi të Ramës, Kurti reagoi përmes një deklaratë therëse ndaj Ramës, duke i kërkuar Ramës që draftin t’ia çonte Presidentit të Serbisë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“S’kam dyshim që kryeministri Edi Rama, beson që propozimi i tij i drafstatutit është i mirë dhe duke qenë kështu, atëherë krejt çka unë propozoj është që kryeministri Edi Rama, këtë draftstatut për pakicat kombëtare t’ia prezantojë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më së largu në takimin e radhës për Ballkanin e Hapur për shqiptarët në Luginë. Patjetër që ai beson se është model i duhur, e këtë do të duhej t’ia bënte si propozim presidentit të Serbisë për shqiptarët në Luginë, aq më tepër që neni 8, pika 1 e Kushtetutës së Shqipërisë thotë se mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar kudo”, tha Kurti.

Pasditen e djeshme, Kryeministri Rama u përgjigj duke anuluar mbledhjen e programuar të përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës ku pritej të firmoseshin 14 marrëveshje. Rama nënkuptoi hapur se ky ishte një sanksion dhe vetëm pak minuta më pas doli lajmi se Bashkimi Europian do nisë një valë sanskionesh ndaj Kosovësh.