SPAK i sekuestroi telefona dhe materiale të tjera, gazetari Qyno ankesë në Apel: Kërkojnë që precedenti të ligjërohet

Gazetari Elton Qyno ka bërë kërkesë në Gjykatën e Apelit që t’i rikthehen sendet dhe materialet e sekuestruara nga SPAK disa ditë më parë, pasi sipas tij sekuestrimi është bërë në kundërshtim me ligjin.

Përpara kolegëve gazetarë, ai tha se SPAK po kërkon të ligjërojë këtë precedent, që do të sjellë më pas edhe kontrollin e çdo gazetari që publikon dokumente apo informacione nga kjo prokurori, çfarë do të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e punës së mediave në vendin tonë.

Qyno u shpreh se ishte thirrur në Prokurori për t’u njohur me një urdhër ndalimi të shpërndarjes së informacioneve, por prokurori i kishte kërkuar që të jepte deklaratë dhe të tregonte burimin e informacionit. Pavarësisht se nuk e ka treguar burimin, deklarata është përdorur si pjesë e procedimit penal të ngritur ndaj tij dhe është kërkuar sekuestrimi i pajisjeve të tij në shtëpi dhe punë.

Pjesë nga deklarata e Elton Qynos:

Të gjitha dokumentet që kam publikuar, informacionet, që nuk janë sekret që unë isha në dijeni se çfarë informacioni po publikoja. Është një situatë që unë jam thirrur për t’u njohur për një urdhër ndalim të informacioneve, por kam dhënë deklarim si person që ka dijeni për ngjarjen, por ky deklarim është marrë si pjesë e dosjes për hetimin ndaj meje.

Pas përfundimit të procedurës, më është kërkuar që të dorëzoja telefonat. Kam refuzuar, dhe pse më është kërkuar të tregoja burimin e informacioneve, nuk kam pranuar dhe më pas ka vijuar procedura që kanë nxjerrë vendimet e gjykatës, të cilat i kam kundërshtuar. Depërtimi i BKH-së në ambientet e makinës, shtëpisë, dhe punës, dhe në kontrollin fizik timin në ambientet e SPAK nuk më bëri të ndihesha mirë. Jam një gazetar që e mbuloj këtë prokurori që në vitin 2006, që unë të përballem me situatë të tillë. Kjo gjykatë ka patur precedentë të mëparshëm me kolegë të tjerë, ka qenë gjykata që ka marrë vendim për marrjen e materialit, por jo sekuestrimin të të gjitha objekteve që gjenden në punë. Janë marrë 2 databazat kryesore, kompjuteri i shtëpisë dhe i punës. Kompjuteri i shtëpisë i përket të gjithë familjes, dhe kanë pezulluar të gjithë aktivitetin tim të punës për ngjarjet kriminale.

Frika ime më e madhe është mospublikimi i këtyre akteve hetimore që po ndjekin në këtë procedim penal, por shpresojmë që Gjykata e Apelit të ndërgjegjësohet dhe të shikojë ligjin siç është për të më rikthyer materialet e sekuestruara.

Janë 18 vite punë, që kur SPAK është themeluar, po bën 4-5 vite, dhe pjesën më të madhe të karrierës e kam atashuar në Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda. I njoh të gjithë dhe nuk e prisja që unë, njeriu që çdo ditë kam herë në këtë godinë, të përballesha me këtë situatë. Unë nuk jam për të treguar burimin, por për të nxjerrë informacione. Jam përpjekur t’i rri rigoroz të vërtetës. Ne kemi bërë edhe oponencë për vendimet që janë dhënë në këtë godinë, por s’do të thotë të bëhemi shënjestër për të tilla situata.

Me këtë që ndodhi, tashmë precedenti do të ligjërohet dhe çdo dokument që del nga zyrat e këtij institucioni, do të bëjë që të kontrollohen gazetarët. Kjo situatë duhet të ndiqet edhe në rrugë ligjore, jo vetëm përmes ndërgjegjësimit të kolegëve.