U vra me armë zjarri para syve të fëmijëve, policia arreston dy persona të dyshuar për vrasjen makabër të Liridona Murselit

Policia e Kosovës ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit.

Murseli u vra me armë zjarri, mbrëmjen e ditës së mërkurë, rreth orës 20:20, para syve të fëmijëve. Trupi i saj është gjetur në automjet nga policia, të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të vrasjes makabër.

Njoftimi i policisë:

Grabitje me pasjoja të vrasjes

Me datën 29.11.2023, rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri.

Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit.

-INFORMACION SHTESË

Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprime intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar.

Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.