Disa ditë më parë një vajzë e re u sulmua seksualisht në një dyqan pranë qendrës së Tiranës, ku punonte si shitëse.
Vajza 19 vjeçare ishte gjatë orarit të punës kur 27 vjeçari Marash Gjoklaj, i liruar me kusht nga burgu, iu fut në dyqan dhe fillimisht i kërkoi që ajo ti sugjeronte disa artikuj për të dashurën, me një fjalor jo etik. Por pasi vajza e nxori jashtë dyqanit ai u kthyë në darkë, ku tentoi ta fuste në magazinën e dyqanit dhe ta përdhunonte.
Vajza ka rrëfyer sot në emisionin “Me zemër të hapur” gjithë dinamikën e ngjarjes ndërsa ka bërë thirrje që njerëz si Gjoklaj nuk duhet të lirohen pasi edhe më parë ai ka qenë i dënuar për marrëdhënie seksuale me dhunë. Ndër të tjera ajo thotë se bashkë me koleget dhe shoqet e saj ndihen shumë të pasigurta në vendin e punës.
“Jam studente dhe pasditeve punoj për të siguruar të ardhurat e mia. Punoj pranë një biznesi në qendër te Tiranës, për te hequr shpenzimet e mia studentore. Familja ime është larg dhe unë jetoj me motrën time. Ditën e shtunë me datë 25 nëntor, atë ditë isha në punë si zakonisht, ishte shumë ftohtë dhe derën e dyqanit e mbaja të mbyllur. Rreth orës 18:00 hyn një djalë, i cili kërkoi t’i shërbeja dhe sjellja e tij për një produkt në lidhje me të dashurën e tij ë cilën e përshkruante për format trupore me fjalë jo etike.
Pasi i dhashë përgjigjen që meritonte, pasi sjellja e tij ishte provokuese ai largohet i qetë dhe në ato momente përveç sjelljes nuk e konsiderova si diçka shqetësuese që duhet të më shqetësonte. Rreth orës 20:10 pasi pa që pranë dyqanit tim largohet roja e biznesit ngjitur, djali hyn përsëri në dyqan dhe në ato moment unë isha pranë tavolinës së punës, u afrua pranë meje duke mu drejtuar me një fjalor banal, duke kërkuar të kryente marrëdhënie seksuale me mua. Duke hasur në kundërshtimin tim ai më sulmoi duke më kapur nga flokët dhe duke më vënë dorën te goja. Tentoi te me fuste me force në magazinën e dyqanit, në këto momente ndodhi përleshja fizike duke tentuar të merrte edhe telefonin qe unë të mos kisha mundësi të kërkoja ndihmë.
Nuk e di ku gjeta forcën dhe kurajon, u tërhoqa zvarrë dhe dola jashtë dyqanit duke bërtitur dhe duke kërkuar ndihmë, të cilën e gjeta tek një vajzë dhe një djalë që po kalonin rastësisht. Agresori ishte brenda dhe kur pa që po më jepej ndihmë u largua me shpejtësi në një rrugicë shumë pranë biznesit. Në orën 20:18 kam njoftuar sallën operative dhe policia erdhi shumë shpejtë në vendngjarje.
Nga përshkrimi im del që personi në fjalë dy ditë më parë kishte sulmuar një tjetër shitëse në rrugën e Dibrës në moshën 20-vjeçare dhe e kishte kanosur me thikë. Nga kamerat e biznesit tjetër unë zbulova që ishte i njëjti person që më sulmoi edhe mua.
Ai u kap në banmesë në prani të familjarëve të tij, ku u gjet dhe xhupi të cilin e kishte veshur në të dyja sulmet. Pasi u bë përballja në polici, arrita ta identifikoja, ai madje qeshte dhe ndërkohë konsumonte ujë. Aty mësova se ky person ishte dënuar për mardhënie seksuale me të mitura dhe gjykata e kishte liruar me kusht. Unë shpresoj që këtë herë gjykata edhe institucionet mos e bëjnë të njëjtën gjë, pasi frika ime me e madhe është se çfarë do të ndodhi me mua apo edhe më shumë vajza të tjera të cilat ndihemi të pasigurta në vendin tonë të punës.”– tha ajo.