Roja bregdetare greke ka kapur 41 emigrantë klandestinë që po transportoheshin me jaht, në brigjet e plazht të Porto Rafinës, 40 km në jug të Athinës.
Sipas mediave greke, Autoriteti Portual i Rafinës, identifikoi dhe arrestoi rreth 30 të huaj në një plazh në Porto Rafti, pasi që në orët e mëngjesit kishte informacion për zbarkim të paligjshëm nga një jaht me motor.
Zyrtarët e Autoritetit Portual kanë shkuar menjëherë në zonë dhe pas veprimeve të koordinuara të Qendrës Operacionale të Rojës Bregdetare – Gardës Bregdetare Greke, janë aktivizuar gjashtë gomone patrullë LS-ELA.KT. (P.L.S.-EL.AKT.) dhe një helikopter L.S.-EL.AKT.
Ata kanë ndjekur për më tepër se 2 orë jahtin ku po transportoheshin klandestinët.
Sipas rojës bregdetare, trafikantët përdorën një linjë të pa përdorur më parë, duke udhëtuar në ujërat ndërkombëtare nga brigjet turke drejt Athinës, duke shmangur çdo dyshim.
Mësohet se emigrantët u larguan menjëherë sapo zbritën në breg dhe u deshën forca të shumta policie për të ndaluar të arrestuarit, ndërsa të tjerët mundën të largohen me shpejtësi në brendësi të tokës greke.
Prej hetimeve rezultoi se ata kishin paguar 4 deri në 6 mijë euro trafikantëve për të mbërritur në brigjet greke.
Jahti u ndalua në ishullin Kea, 15 milie në jug të Athinës. Dy trafikantë u arrestuan dhe pritet të dërgohen në gjykatë për masë sigurie ndërsa jahti u sekuestrua.