Tre muaj pas atentatit të ndodhur në “Don Bosko” në lokalin në pronësi të Fatjon Muratit ku mbeti e vrarë Mimoza Paja, Policia ka arritur të identifikojë njërin prej bahskëpunëorëve të autorëve të ngjarjes.
28 vjeçari Nikoll Sherrniku nga Fushë Kuqja e Kurbinit, i arrestuar prej 18 gushtit të vitit 2022, iu komunikua këtë të mërkurë masa e arrestit me burg brenda qelive të paraburgimit ku ndodhet për një tjetër vepër penale, e cila vijon të jetë në hetim.
Sipas hetimeve, 28 vjeçari ka siguruar targa të huaja nga Gjermania, të cilat u janë vënë në dispozicion autorëve të ngjarjes, të cilat i kanë ruajtur dhe më pas përdorur të njëjtat targa në një automjet tip “BMW X5” në ditën e ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur me datë 12.03.2023, ku mbeti e vrarë një shtetase.
Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur me datë 12.03.2023, në rrugën”Anastas Shundi”, e cila bën fjalë për vrasjen e shtetases Mimoza Paja dhe dëmtimin/plagosjen e disa shtetasve të tjerë në ambientet e një lokali në pronësi të vëllezërve MURATI, ju informojmë si më poshtë:
Sot më datë 07.06.2023 u bë ekzekutimi i vendimit Nr. 1220 datë 07.06.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila ka vendosur caktimin e masës të sigurimit personal atë të “Arrest në burg“ ndaj personit nën hetim N. Sh., 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë – Kuqe, Laç, (aktualisht nën hetim me masën e sigurisë “Arrest në burg” edhe për vepra të tjera penale) si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal nr. 1700 të vitit 2023 ka rezultuar se personi nën hetim, shtetasi N. Sh., me veprime aktive ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale. Këto veprime konsistojnë në marrjen e targave të huaja ne shtetin gjerman, sjelljen e tyre në Shqipëri, dhe vënien në dispozinon të këtyre targave personave të tretë (autorëve), të cilët më pas i kanë ruajtur dhe përdorur këto targa në një automjet tip “BMË” seria 5, ditën e ngjarjes.
Automjeti tip “BMW”, sëbashku me targat gjermane, është gjetur i djegur në fshatin Likmetaj, Manëz, Durrës.
Në funksion të këtij procedimi janë kryer veprime të shumta hetimore dhe ekzekutuar letër-porositë në Gjermani dhe në Kosovë.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për dokumentimin e plotë ligjor, me prova të autorëve të kësaj ngjarje kriminale.