Kompania Albanian Delivery Express shpk (ADEx) ka reaguar zyrtarisht në lidhje me arrestimin e një prej punonjëseve të saj, Alma Beqirit, e cila në 2 vitet e fundit ka përvetësuar një shumë rreth 3 milionë euro në dëm të kompanisë dhe bizneseve të tjera që operonin online.
Sipas të dhënave, mësohet se pasi qytetarët që kishin bërë porosi nga këto biznese merrnin pakot e tyre dhe kryenin pagesën, Beqiri nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim, duke i mashtruar.
Në reagimin e saj, Adex shkruan se ka qenë vetë kompania e cila ka zbuluar skemën kriminale të mashtrimit dhe ka kryer kallëzimet pranë Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit dhe ka vendosur në dispozicion të tyre çdo material dhe provë. Gjithashtu kompania u ka kërkuar institucioneve të thellojnë hetimin e tyre në provimin e çdo bashkëpunëtori në krim si dhe në rikuperimin e çdo shumë të vjedhur kompanisë.
Reagim i Albanian Delivery Express shpk (ADEx)
Albanian Delivery Express shpk përshendet dhe inkurajon institucionet ligjzbatuese shqiptare në hetimin e ngjarjes së rëndë të mashtrimit të një ish punonjëse në bashkëpunim me persona të tjerë
Kompania Albanian Delivery Express shpk është aktualisht operatori postar jopublik më i madh në vend, lider ne sherbim dhe inovacion, i certifikuar nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare në partneritet me disa prej liderëve botërore në këtë fushë.
Skema kriminale e mashtrimit u zbulua prej vetë kompanisë e cila në mënyrë të menjëhershme ka kryer kallëzimet pranë Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit dhe ka vendosur në dispozicion të tyre çdo material dhe provë.
Nisur nga ngjarja e rëndë, Albanian Delivery Express shpk (ADEx) u ka kërkuar institucioneve ligjzbatuese të thellojnë hetimin e tyre në provimin e çdo bashkëpunëtori në krim si dhe në rikuperimin e çdo shumë të vjedhur kompanisë.
Albanian Delivery Express shpk (ADEx) siguron të gjithë klientët se shërbimi ynë nuk është cënuar në asnjë moment pavarësisht dëmit të konsiderueshëm që kreu grupi i strukturuar kriminal që përvetësoi shuma të konsiderueshme parash në harkun kohor të dy viteve.
Albanian Delivery Express shpk (ADEx) ka siguruar edhe partnerët kombëtare dhe ndërkombëtare të biznesit se shërbimi i ADEX mbetet lider në vend të konfirmuar edhe përmes certifikimeve nga institucionet nderkombetare.