Një ngjarje e rëndë po hetohet nga autoritetet shqiptare, pasi një vajzë 13-vjeçare, me origjinë nga Shkodra dhe e lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dyshohet se është abuzuar seksualisht nga disa persona gjatë ditëve që qëndroi larg familjes.
E mitura ishte larguar nga shkolla private ku studionte në Shkodër dhe për rreth një javë nuk ishte kthyer në banesë. Pas kërkimeve intensive nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me asistencën e përfaqësuesve të sigurisë së Ambasadës Amerikane, 13-vjeçarja u lokalizua në Tiranë.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimi, gjatë kësaj periudhe vajza ka lëvizur në disa qytete të vendit, mes tyre Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës dhe Burrel, përpara se të përfundonte sërish në kryeqytet.
Dyshohet se në këto qytete ajo ka rënë në kontakt me persona të ndryshëm, të cilët më pas kanë abuzuar seksualisht me të. Deri më tani, të paktën katër persona janë arrestuar, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Numri i personave të dyshuar mund të jetë shtatë ose më shumë, por hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit.
Një nga pistat që po verifikojnë hetuesit lidhet edhe me dyshimet se disa prej personave i kanë dhënë para të miturës në këmbim të marrëdhënieve seksuale.
Nga rindërtimi i lëvizjeve të saj rezulton se 13-vjeçarja ka udhëtuar kryesisht e vetme, duke përdorur autobusë dhe taksi. Deri në këtë fazë të hetimit nuk është identifikuar një person që ta ketë shoqëruar gjatë gjithë udhëtimit apo që ta ketë detyruar drejtpërdrejt të largohej nga banesa.
Mësohet se vajza jetonte me nënën në Shkodër, pasi familja ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara disa vite më parë. Ajo kishte shfaqur edhe më herët episode largimi nga shtëpia, por në rastet e mëparshme ishte kthyer pas disa orësh.
Sipas burimeve të hetimit, ekzistojnë gjithashtu dyshime se gjatë largimit nga banesa e mitura ka marrë disa bizhuteri ari, të cilat dyshohet se i ka shitur për të siguruar para për udhëtimet dhe qëndrimin në qytetet ku ka lëvizur.
Aktualisht, 13-vjeçarja ndodhet në një qendër sociale në Tiranë, ku po merr asistencën e nevojshme psikologjike dhe është nën mbikëqyrjen e mjekëve.