Ka një dallim mes një shkaku nxitës dhe arsyes së vërtetë të një krize. Revolta e nxënësve që ka tronditur Francën që prej shtatorit nisi në një lice në Créteil, ku nxënësit bllokuan shkollën një ditë pasi mësuesit kishin hyrë në grevë për shkak të mungesës së stafit dhe burimeve financiare.
Megjithatë, askush nuk do ta përshkruajë këtë vjeshtë thjesht si një histori të shkollave me mungesë personeli. Pas 17 tetorit, kur 550 mijë persona dolën në marshime dhe, sipas Reuters, rreth 3 mijë biznese u plaçkitën brenda 24 orëve, ndërsa bashkia e Limoges u përfshi nga flakët, u bë e qartë se problemet e shkollave ishin vetëm simbol i një krize shumë më të thellë.
Në korrik 2023, pas vdekjes së Nahel Merzouk, shkrova se situata në periferitë e varfra të Francës mund të shpërthente sërish në çdo moment. Kanë kaluar tre vjet dhe, edhe një herë, të gjithë iu kthyen menjëherë interpretimeve të tyre të zakonshme.
Donald Trump deklaroi se ajo që po ndodh në Francë është “asgjë më pak se një migrim masiv jashtë kontrollit”, ndërsa Emmanuel Macron fajësoi të majtën ekstreme dhe grupet kriminale që, sipas tij, iu bashkuan lëvizjes. Fatkeqësisht, të dy kanë pjesërisht të drejtë, por edhe pjesërisht gabim.
Sipas Ministrisë franceze të Drejtësisë, shtatë nga dhjetë personat e parë të burgosur ishin shtetas francezë, pothuajse të gjithë të lindur në Francë. Pjesa tjetër ishin shtetas të huaj, të cilët përbëjnë një përqindje rreth tri herë më të lartë se pesha e tyre në popullsinë e përgjithshme. Kjo shifër është afërsisht e njëjtë me përfaqësimin e tyre në rastet e dyshimeve për vjedhje.
Të dhënat e ministrisë nuk japin informacion për origjinën etnike, përtej shtetësisë dhe vendlindjes. Megjithatë, politologu Jérôme Fourquet u përpoq të nxirrte përfundime nga emrat e të pandehurve, siç raportoi gazeta Frankfurter Allgemeine.
Duke analizuar raportimet mediatike për gjykimet e përshpejtuara pas 17 tetorit, ai identifikoi rreth 70 persona për të cilët kishte informacion të mjaftueshëm biografik. Tre të katërtat e tyre kishin emra me origjinë arabo-myslimane ose afrikane.
Megjithatë, edhe vetë Fourquet pranon se bëhet fjalë për një kampion të kufizuar, pasi përfshin më pak se një në dhjetë personat që iu nënshtruan gjykimit të përshpejtuar. Verifikuesit francezë të fakteve e kanë cilësuar këtë shifër si të pabesueshme.
Siç u shpreha edhe në një intervistë për televizionin britanik javën e kaluar, nuk është e vërtetë që të gjithë këta persona janë emigrantë, por as ndikimi i komponentit migrator nuk mund të shpërfillet.
Në vitin 2023 argumentova gjithashtu se një krizë identiteti nuk mund të zgjidhet thjesht duke rritur pak fondet qeveritare apo duke ndërtuar një linjë tjetër metroje drejt qendrës së qytetit.
Fatkeqësisht, edhe kjo mundësi po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Një vend i pasur mund të përpiqet t’i mbulojë këto probleme me financime shtesë, por me borxhin publik në nivelin 119% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Franca është ndër vendet e para të mëdha evropiane që po përballet me mungesë reale të burimeve financiare.
Në vitin shkollor paraardhës, një në dhjetë orë mësimi në shkollat e mesme publike nuk u zhvillua kurrë. Ndërkohë, nga çdo nëntë urdhra për largimin e personave nga territori francez, shteti zbaton vetëm një.
Pakti i migracionit i BE-së nuk i zgjidh problemet
Asnjë prej këtyre problemeve nuk adresohet nga Pakti i Migracionit i Bashkimit Evropian, i cili rregullon kryesisht procedurat e mbërritjes së emigrantëve: kush duhet t’i regjistrojë, kush duhet të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil dhe si duhet të shpërndahen mes vendeve anëtare.
Madje, edhe ky mekanizëm nuk po funksionon siç ishte parashikuar. Nga 21 mijë persona që përbënin objektivin e zhvendosjes, vendet anëtare morën përsipër të pranonin më pak se 9 mijë. Ndërkohë, Çekia, Kroacia, Austria dhe Polonia përfituan përjashtime të plota nga ky detyrim.
Shtrohet pyetja se sa përjashtime të tilla duhen që ato të kthehen në rregullin e ri.
Është e vërtetë se kalimet e parregullta të kufijve kanë rënë me më shumë se gjysmën që prej vitit 2023. Por të pretendosh se problemi është zgjidhur vetëm për këtë arsye, është njësoj si të thuash se, kur vaska po përmbytet, mjafton të mbyllësh rubinetin. Nëse gjysma e banjës është tashmë nën ujë, mbyllja e rubinetit nuk mjafton.
Në qershor 2024, Gjykata Evropiane e Drejtësisë urdhëroi Hungarinë të paguante 200 milionë euro dhe një gjobë ditore prej 1 milion eurosh, derisa Budapesti të zbatonte rregullat e BE-së. Deri tani, fatura ka kaluar shifrën prej 1 miliard eurosh.
Natyrisht, gjykata nuk ndëshkoi ndërtimin e gardhit kufitar, por faktin që Budapesti kishte shpërfillur një vendim të mëparshëm lidhur me aksesin në procedurat e kërkimit të azilit.
Megjithatë, pas titujve të lajmeve, si Komisioni Evropian, ashtu edhe disa vende anëtare po afrohen gjithnjë e më shumë me qëndrimin hungarez.
Polonia, për shembull, ka pezulluar prej më shumë se një viti e gjysmë të drejtën për të kërkuar azil në kufirin me Bjellorusinë. Komisioneri për Migracionin, Magnus Brunner, e cilësoi këtë masë si “në përputhje me të drejtën e BE-së”.
Është e vështirë të imagjinohet një standard i dyfishtë më i dukshëm. Por, në vend që të mbështeteni vetëm te vlerësimi im, mund t’i referoheni edhe Péter Magyar, politikanit që rrëzoi Viktor Orbánin nga pushteti politik dhe që ankohet se Hungaria “duhet të paguajë një milion euro në ditë për një masë që po e marrin edhe të tjerët”.
Që në tetor 2023 kam shkruar se Gjermania, Belgjika, Suedia apo Franca nuk mund të vazhdojnë të pretendojnë se kanë politika migratore më të mira se vende si Polonia dhe Hungaria.
Atëherë shtova se, herët a vonë, Varshava dhe Budapesti do të theksonin atë që tashmë ishte bërë e dukshme.
Një ditë pasi bashkia e Limoges u dogj, reagimet erdhën pikërisht nga këto kryeqytete.
Péter Magyar, i cili deri pak kohë më parë ishte pjesë e partisë Fidesz, shkroi se “ndoshta tani është e qartë për të gjithë pse Hungaria mban qëndrimin më të ashpër të mundshëm ndaj migracionit”.
Edhe kryeministri polak Donald Tusk, i cili nuk konsiderohet populist i djathtë, deklaroi se “Polonia nuk do të përsërisë gabimet e vendeve të tjera evropiane dhe as nuk do të paguajë për to”.
BE-ja duhet të rishikojë politikën e migracionit
Raporti i vetë Komisionit Evropian, i publikuar në fillim të këtij muaji, përmend tashmë mundësinë e një rishikimi të planifikuar për vitin 2027.
Por ky proces, sipas autorit, duhet të nisë që tani dhe të trajtojë një pyetje që Pakti i Migracionit e shmang: Sa të ardhur mund të përthithë një shtet pa rrezikuar kohezionin dhe identitetin e tij?
Përgjigjja, përfshirë masat si gardhet kufitare dhe procedurat e shqyrtimit të kërkesave për azil jashtë territorit të BE-së, duhet t’u lihet qeverive kombëtare. Në fund të fundit, ato do të mbajnë përgjegjësi përpara votuesve nëse politikat e tyre rezultojnë të gabuara.
Udhëheqësit evropianë duhet të fillojnë ta kuptojnë këtë realitet, sepse qytetarët e kanë kuptuar prej kohësh.