Franca po përgatitet për raundin e pestë të demonstratave, ku qytetarët pritet të protestojnë kundër problemeve në arsim dhe rritjes së kostos së jetesës. Autoritetet kanë paralajmëruar masa të shtuara sigurie, me rreth 70 mijë efektivë policie në gatishmëri.
Dhjetëra marshime dhe tubime pritet të zhvillohen këtë të shtunë në qytete të ndryshme të Francës, në kuadër të një vale të re protestash që synojnë të kundërshtojnë situatën në sektorin e arsimit dhe vështirësitë ekonomike që po përballojnë qytetarët.
Ministri i Brendshëm francez, Roland Nunez, bëri të ditur se autoritetet do të angazhojnë rreth 70 mijë efektivë policie për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë demonstratave.
Sipas tij, vendosja e forcave të sigurisë do të jetë e ngjashme me atë të fundjavës së kaluar, por me mundësi përshtatjeje në varësi të zhvillimit të situatës në terren.
Ministri paralajmëroi veçanërisht për aktivitetin e grupeve që mund të përpiqen të shmangin kontrollet policore duke u shpërndarë në formacione të vogla.
“Do të jemi të përgatitur për çdo situatë që lidhet me vandalizmin dhe plaçkitjet”, theksoi Nunez, duke nënvizuar se autoritetet nuk do të tolerojnë akte dhune apo dëmtimin e pronës publike dhe private.
Protestat e së shtunës pritet të shënojnë një tjetër përballje mes qytetarëve dhe autoriteteve, në një klimë pakënaqësie që lidhet me arsimin, fuqinë blerëse dhe rritjen e shpenzimeve të përditshme.