Një shtetase shqiptare është arrestuar mëngjesin e kësaj të premteje në Igumenicë, pasi u kap duke transportuar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike.
Gjatë kontrollit të automjetit që ajo drejtonte, policia greke zbuloi 80 pako me marijuanë, me peshë totale prej 86 kilogramësh e 438 gramësh.
Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan si prova materiale, ndërsa ndaj shtetases shqiptare u ngrit një çështje penale.
Sipas dyshimeve të policisë, droga ishte futur në territorin grek përmes kufirit të gjelbër me Shqipërinë dhe destinacioni i saj ishte tregu i brendshëm grek.
Kohët e fundit ka një riaktivizim të trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Greqi. Policia greke ka kapur në 15 muajt e fundit rreth 1.4 ton marijuanë në Igumenicë, Janinë, Kostur, Follorinë e Selanik.
Rastet më të shumta kanë qenë ato të trafikut nga Saranda në Igumënicë, ku pothuaj gjysma e sasisë së kapur në zonat e Greqisë është trafikuar nga kjo linjë. Madje në një rast në Igumenicë është kapur edhe një skaf i ngarkuar me drogë.