Kryeministri Edi Rama ndodhet në Dublin ku sot mori pjesë në takimin e nëntë të Komunitetit Politik Evropian.
Rama iu përgjigj interesit të gazetarëve të huaj lidhur me protestat e studentëve në Tiranë, të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij.
Sipas Ramës, populli shqiptar i ka dhënë një mandat shumë të fortë për ta udhëhequr vendin drejt Bashkimit Evropian.
“Populli shqiptar më ka dhënë një mandat shumë të fortë për ta udhëhequr vendin drejt Bashkimit Evropian. Kjo ndodhi vitin e kaluar. Pra, ju jeni ndikuar shumë nga gënjeshtrat dhe gjysmë të vërtetat që janë përhapur për Shqipërinë”, u tha Rama gazetarëve.
Në lidhje me debatet mbi zhvillimin ose jo të Samitit të NATO-s në Shqipëri, Rama tha se ai do të mbahet në Tiranë, por pritet qe të jetë në vitin 2028.
“Shqipëria është caktuar si vendi pritës i samitit të ardhshëm të NATO-s. Ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Me siguri jo në vitin 2027 dhe, nëse do të ketë një samit në vitin 2028, ai do të mbahet në Tiranë. Ato që po diskutohen për këtë çështje janë marrëzira”, tha Rama.
Rama foli edhe për investimin e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump në vendin, që nxiti edhe protestat në fund të muajit maj.
“Nuk kam asnjë marrëdhënie biznesi me Kushnerin. Ai është një nga investitorët e shumtë që kanë treguar interes për vendin tonë. Aktualisht po zhvillohen bisedime me grupin e tij, i cili është një grup i madh dhe me qëllime shumë të mira. Nëse do t’ju pyesja se çfarë dini për këtë çështje, do të më thoshit se ka një ishull në Shqipëri që i është dhënë atij. Kjo është ajo që ju kanë thënë mediat ndërkombëtare, por është gënjeshtër”, deklaroi Rama.