Policia e Tiranës ka vënë në pranga 50-vjeçarin Robert Duka, i dyshuar si autor i grabitjes së një banke të nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit.
Grabitja u regjistrua më 2 nëntor, rreth orës 10:45. Një person i maskuar hyri në ambientet e bankës dhe, nën kërcënimin e një sendi që ngjante me armë zjarri, arriti të marrë rreth 60 mijë euro në valuta të ndryshme.
Fillimisht, autori dyshohet se kërcënoi punonjësin e sigurisë dhe më pas iu drejtua sporteleve, ku mori shumën e parave nga arkëtarja.
Pas kryerjes së grabitjes, ai u largua nga vendngjarja me një monopatinë elektrike, në drejtim të stadiumit “Selman Stërmasi”.
50-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua pranë rrugës së Kosovarëve në Tiranë, nje jave pas grabitjes. Nderkohe Policia vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.