Dita e 21 e protestës, studentët në Universitetin e Arteve dhe Fakultetin e Drejtësisë: Bashkohuni me ne!

Protesta e studentëve kundër qeverisë ka hyrë në ditën e 21-të, me protestuesit që po përpiqen të përfshijnë në kauzën e tyre edhe studentët e universiteteve të tjera.

Gjatë ditës së sotme, një grup të rinjsh është futur në ambientet e Universitetit të Arteve, ku u është drejtuar studentëve me thirrjen “Bashkohuni me ne!”. Ata kanë kërkuar bojkotimin e procesit mësimor dhe bashkimin me protestën që prej 21 ditësh vijon kundër qeverisë.

Më pas, protestuesit janë zhvendosur drejt Fakultetit të Drejtësisë, ku kanë vijuar thirrjet për mobilizim dhe pjesëmarrje në protestë.

“Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Bashkohuni me ne”, “Erdhën studentët” dhe “Poshtë patronazhistët” ishin disa nga sloganet e dëgjuara gjatë lëvizjes së tyre në ambientet universitare.