Një skandal është regjistruar ditët e fundit, ku kryeministri Edi Rama ka kërcënuar kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, që të japë dorëheqjen, ose në të kundërt do të kalbet në burg.
Këtë mesazh, kreu i qeverisë ja ka dërguar përmes ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, i cili njihet si një prej njerëzve më të afërt të Veliajt, i cili ndodhet në burg që prej shkurtit të 2025-ës, për disa vepra penale.
Gogu është paraqitur në paraburgimin e Fierit mbrëmjen e 30 tetorit, një vizitë që nuk është regjistruar në fletoren e burgut. Mësohet se Gogu ka shkuar i “zhveshur” nga kostumi i tij si ministër, por me nje kostum sportiv, për të këshilluar mikun e tij që të mos dilte kundër kryeministrit Edi Rama, në të kundërt do të përballej me pasoja.
Vizita e Gogut është konfirmuar nga avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, duke konfirmuar po ashtu përplasjen e pakthyeshme mes kryebashkiakut të Tiranës dhe Ramës.
“Jam me porosi të KM këtu. Dua të të përcjellë tekstualisht atë që KM më ka porositur:
‘Është hera e fundit që po të drejtohem si babai yt politik, nga sot e tutje do të drejtohem veç si kryeministër.
-Dorëzo mandatin urgjentisht.
-Delego pushtetin te emrat që do të them unë.
-Hiq dorë nga avokati Plarent Ndreca.
Në të kundërt, do të transferoj te burgu 302 dhe do orientoj SPAK-un të nis hetime për minim të rendit kushtetues dhe do të të kalb në burg.”- ky ka kërcënimi i Ramës, të cilin ja ka dërguar përmes Toni Gogut.
Veliaj është përgjigjur menjëherë dhe i ka thënë ministrit të Drejtësisë se “dhe sikur 100 vite burg të bëj, nuk ja marr fytyrën fëmijëve të mi”.