Belgjika është përfshirë nga një krizë politike, pasi koalicioni qeverisës nuk arriti të gjejë një marrëveshje për buxhetin. Në këto kushte, kryeministri Bart De Wever është paraqitur në Pallatin Mbretëror për t’i paraqitur dorëheqjen mbretit Philippe.
Kreu i qeverisë belge, i cili drejton Aleancën e Re Flamande (N-VA), u prit nga mbreti Philippe në orën 09:30 të mëngjesit, pas negociatave të zhvilluara gjatë gjithë natës me zëvendëskryeministrat, të cilat përfunduan pa një marrëveshje. Sipas transmetuesit publik VRT, mbreti ndërpreu pushimet për këtë takim të papritur.
Deri në momentin e raportimit, Pallati Mbretëror nuk kishte bërë të ditur nëse mbreti do ta pranonte dorëheqjen, do ta refuzonte atë apo do ta mbante në shqyrtim. Megjithatë, edhe në rast pranimi, kjo nuk do të nënkuptonte automatikisht shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Koalicioni qeverisës, i njohur si “Arizona”, përbëhet nga pesë parti: N-VA, socialistët flamandë të Vooruit, Demokristianët Flamandë (CD&V), lëvizja liberale frankofone MR dhe partia centriste Les Engagés.
Prej muajsh, partitë janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje për kursimin e rreth 10 miliardë eurove deri në vitin 2029. Përplasjet kryesore kanë qenë të lidhura me mënyrën se si do të realizohen këto shkurtime dhe nëse qytetarët më të pasur duhet të përballen me taksa shtesë.
Partia Vooruit kërkonte që belgët me të ardhurat më të larta të kontribuonin me rreth 1.5 miliardë euro, ndërsa MR dhe N-VA kundërshtonin vendosjen e taksave të reja. Nga ana tjetër, Les Engagés kishte deklaruar se një kontribut prej 1 miliard eurosh nga shtresat më të pasura ishte minimumi i pranueshëm.
Zëvendëskryeministri nga radhët e MR-së, David Clarinval, deklaroi se paketa përmbante shumë taksa. Sipas raportimeve të VRT-së, parashikimi përfshinte më shumë se 3 miliardë euro taksa dhe detyrime të tjera. Clarinval akuzoi Vooruit se po pengonte arritjen e një marrëveshjeje, duke mos pranuar shkurtime më të thella të shpenzimeve publike.
Negociatorët kishin afat deri në mesditën e 3 nëntorit për të arritur një marrëveshje, në mënyrë që buxheti të miratohej nga parlamenti përpara fundit të vitit.
Në të kundërt, Belgjika rrezikon të funksionojë përmes të ashtuquajturit mekanizëm të “dymbëdhjetave të përkohshme”. Ky sistem kufizon shpenzimet mujore të shtetit në një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit pararendës. Një skenar i tillë është kundërshtuar nga kryeministri De Wever.
Belgjika ndodhet që prej korrikut 2024 nën procedurën e Bashkimit Evropian për deficit të tepërt dhe duhet ta ulë deficitin buxhetor nën kufirin prej 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2029.
Në tetor, koalicioni kishte ulur objektivat e tij, duke u përqendruar në hartimin e një buxheti vetëm për një vit, pasi nuk arriti të gjente konsensus për një plan shumëvjeçar.
Sipas Bankës Kombëtare të Belgjikës, deficiti buxhetor arriti në 5.2% të PBB-së në vitin 2025, ndërsa borxhi publik ishte rreth 108% e PBB-së, dukshëm mbi kufirin prej 60% të përcaktuar nga rregullat e Bashkimit Evropian.
Një situatë e ngjashme ishte regjistruar edhe në tetor të vitit 2025, kur mosmarrëveshjet për buxhetin e çuan qeverinë pranë shpërbërjes. Një muaj më vonë, De Wever ishte paraqitur te mbreti për të kërkuar më shumë kohë, ndërsa më 24 nëntor 2025 partitë arritën përfundimisht një marrëveshje për kursimin e 9.2 miliardë eurove.
Ndërkohë, partitë opozitare kanë kritikuar ashpër situatën. Kreu i grupit parlamentar të Groen, Matti Vandemaele, deklaroi se përdorimi për të dytin vit radhazi i mekanizmit të “dymbëdhjetave të përkohshme” do të përbënte një poshtërim për një kryeministër në detyrë.
Gazetari politik i VRT-së, Bart Verhulst, bëri të ditur se kabineti kryesor qeveritar mund të mblidhet sërish gjatë orëve të para të pasdites, në një përpjekje të fundit për të arritur kompromis dhe për të shmangur thellimin e krizës politike.