Brukseli është i gatshëm të tregojë fleksibilitet ndaj Mbretërisë së Bashkuar në rast se Londra aplikon për t’u rikthyer në Bashkimin Evropian. Sipas zyrtarëve të BE-së, Britania nuk do të ishte domosdoshmërisht e detyruar të adoptonte monedhën euro apo të bëhej pjesë e zonës Shengen.
Bashkimi Evropian mund të lejojë që Mbretëria e Bashkuar të rikthehet në bllok pa qenë e detyruar të anëtarësohet në eurozonë dhe në zonën Shengen. Këtë e kanë bërë të ditur për POLITICO dy zyrtarë të BE-së, të njohur me qëndrimin e Brukselit, të cilët kanë kërkuar të mbeten anonimë për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Një qasje e tillë do të hapte rrugën për rikthimin e Britanisë në BE me kushte të ngjashme me ato që gëzonte përpara Brexit-it. Kjo do të ishte një zhvillim i rëndësishëm për debatet mbi anëtarësimin e ardhshëm të vendit, veçanërisht përballë qëndrimeve se Britania duhet të pranojë integrimin e plotë në eurozonë dhe Shengen përpara se të rikthehet.
Kryeministri britanik Andy Burnham ka deklaruar se Brexit nuk po funksionon dhe ka lënë të hapur mundësinë që rikthimi në BE të përfshihet në programin elektoral të Partisë Laburiste për zgjedhjet e ardhshme.
Megjithatë, disa euroskeptikë argumentojnë se Britania, në rast të rikthimit, mund të përballet me presion për të pranuar angazhime më të thella në procesin e integrimit evropian, përtej marrëveshjes që kishte përpara largimit nga Unioni.
Sipas një sondazhi të YouGov, të zhvilluar në fillim të këtij muaji, 55 për qind e britanikëve mbështesin anulimin e Brexit-it dhe rikthimin në BE, ndërsa 34 për qind preferojnë që vendi të qëndrojë jashtë Unionit.
Megjithatë, mbështetja ndryshon ndjeshëm nëse si kusht për rikthimin vendoset anëtarësimi në eurozonë dhe zonën Shengen. Në këtë rast, 35 për qind e të anketuarve shprehen pro, ndërsa 43 për qind kundër.
Zyrtarët evropianë theksojnë se BE-ja nuk ka ende një qëndrim zyrtar për kushtet e mundshme të rikthimit të Britanisë, pasi Londra nuk ka paraqitur një kërkesë të tillë.
Megjithatë, ata nënvizojnë se gjatë negociatave, Unioni merr parasysh rrethanat specifike të secilit shtet. Njëri prej zyrtarëve i tha POLITICO-s se, ndonëse në teori ekziston një qasje standarde, në praktikë procesi është më fleksibël dhe mund të ketë modele të ndryshme anëtarësimi.
Ky sqarim mund të jetë një zhvillim me rëndësi për synimin e kryeministrit Burnham që ta shohë Britaninë sërish pjesë të Bashkimit Evropian gjatë jetës së tij.
Komisioni Evropian nuk kishte dhënë ende një koment zyrtar lidhur me këtë çështje.
Brexit-i ka shkaktuar më shumë dëme sesa përfitime
Gjatë periudhës kur ishte anëtare e BE-së, Mbretëria e Bashkuar kishte përjashtime të veçanta nga eurozona dhe zona Shengen, të cilat ishin siguruar përmes marrëveshjeve dhe mekanizmave të negociuar gjatë dekadave të anëtarësimit.
Ndërkohë, shtetet që i janë bashkuar Unionit në vitet e fundit kanë marrë përsipër angazhime për të ecur drejt adoptimit të euros dhe pjesëmarrjes në zonën Shengen.
Burnham ka deklaruar se dëshiron që Britania të rikthehet në BE, por ka theksuar se vendimi do të varet nga vullneti i qytetarëve britanikë.
Ai ka bërë gjithashtu të qartë se nuk do të ketë asnjë hap konkret përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, kur synon të marrë një mandat të ri nga votuesit. Zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se korriku i vitit 2029.
Më 20 nëntor, Burnham pritet të takohet në Bruksel me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të miratuar një paketë masash që synojnë përmirësimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Britanisë pas Brexit-it.
Negociatat, të nisura gjatë mandatit të paraardhësit të tij, Keir Starmer, përfshijnë lehtësimin e tregtisë së produkteve ushqimore, krijimin e mundësive të reja të vizave për të rinjtë dhe lidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve të karbonit.
Por kryeministri britanik ka paralajmëruar se samiti do të shërbejë gjithashtu për të diskutuar mundësitë e një rishikimi më të gjerë të marrëdhënieve me BE-në. Sipas tij, Brexit-i “ka shkaktuar më shumë dëme sesa përfitime”.
Ndër alternativat që mund të shqyrtohen janë anëtarësimi në tregun e përbashkët evropian, bashkimi doganor, por edhe rikthimi i plotë i Britanisë në Bashkimin Evropian.
Opsioni që do të përzgjidhet pritet të përfshihet në programin elektoral të Partisë Laburiste për zgjedhjet e ardhshme, të cilat parashikohet të mbahen në vitin 2029, megjithëse kryeministri ka mundësinë t’i shpallë ato edhe më herët.