Pas tensioneve dhe kaosit në seancën plenare të 29 tetorit, deputetët e Partisë Socialiste kanë kërkuar masa disiplinore ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha, dhe gjashtë deputetëve të tjerë të opozitës.
Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, propozohet përjashtimi i Berishës për 10 ditë, ndërsa për Bledion Nallbatin, Ivi Kason, Blendi Himçin, Xhelal Mziun, Albana Vokshin dhe Klodiana Çapjan kërkohet përjashtim për 60 ditë.
Sipas kërkesës, deputetët e opozitës penguan zhvillimin normal të punimeve parlamentare përmes bllokimit të foltores, zhurmës dhe veprimeve të tjera gjatë seancës.
Sipas kërkesës, gjatë fjalës së tij në Kuvend, Sali Berisha ka përdorur gjuhë joparlamentare dhe nxitëse të dhunës, pasi kryedemokrati u shpreh se plumbat e gomës dhe gazi lotsjellës që përdoren gjatë protestave duhet t’u hidhen deputetëve të Partisë Socialiste.
Deputetët e tjerë akuzohen për përdorimin e mjeteve piroteknike dhe hedhjen e sendeve të forta.