Christine Lagarde drejt largimit nga drejtimi i BQE-së në 2027-ën

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, ka shprehur synimin për t’u larguar nga detyra më 7 shkurt 2027. Lajmi u bë i ditur nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili deklaroi se e respekton vendimin e saj.

“Jam informuar nga Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Evropiane, për qëllimin e saj për të dhënë dorëheqjen nga roli i saj më 7 shkurt 2027. E pranoj me respekt vendimin e saj”, njoftoi Costa.

Në një video të shkurtër të publikuar në rrjetet sociale, Lagarde foli për përvojën e saj në krye të institucionit, duke shprehur bindjen se po largohet pasi ka përfunduar një punë të rëndësishme dhe se BQE-ja është e përgatitur për sfidat e së ardhmes.

“Po largohem nga ky institucion me ndjenjën se kam bërë një punë të mirë dhe se BQE-ja është gati për të ardhmen”, u shpreh ajo.

Lagarde e cilësoi Bankën Qendrore Evropiane si një “shkëmb”, duke theksuar rëndësinë e institucionit gjatë viteve të drejtimit të saj.

“Ka qenë një nder i madh t’i shërbej këtij institucioni”, deklaroi ajo, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë shtatë viteve të fundit.

BQE-ja falënderon Lagarde-n

Pas njoftimit për largimin e saj, Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane e falënderoi Lagarde-n për punën e kryer në krye të institucionit.

“Këshilli Drejtues e falënderoi ngrohtësisht presidenten Lagarde, duke e duartrokitur gjatë”, thuhet në deklaratën e BQE-së.

Sipas institucionit, pasardhësi i saj do të emërohet nga Këshilli Evropian, në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin 283 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian.

Von der Leyen: Ajo forcoi sovranitetin ekonomik të Evropës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi kontributin e Lagarde-s në forcimin e ekonomisë evropiane dhe të rolit ndërkombëtar të euros.

Në një reagim në rrjetet sociale, von der Leyen e falënderoi për punën e saj në shërbim të Evropës dhe monedhës së përbashkët.

“Që nga pandemia deri te lufta e agresionit të Rusisë, drejtimi i saj i qëndrueshëm ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së ekonomisë sonë”, shkroi ajo.

Von der Leyen theksoi gjithashtu se Lagarde ka nxitur një integrim më të thellë financiar dhe ka përfaqësuar në arenën ndërkombëtare besueshmërinë dhe autoritetin që kërkon një monedhë.

“Kështu ke forcuar sovranitetin ekonomik të Evropës dhe rolin ndërkombëtar të euros, për të cilën ke pasur gjithmonë një përkushtim të veçantë”, shtoi presidentja e Komisionit Evropian.

Në përfundim, von der Leyen shprehu shpresën që më shumë gra të ndjekin gjurmët e Lagarde-s, duke vlerësuar rolin e saj në udhëheqjen e institucioneve evropiane.