Organizata greke OMONIA ka denoncuar për parregullsi dhe shkelje të të drejtave të minoritetit grek nga anketuesit e censit të popullsisë.
Sipas kësaj organizate, regjistruesit e të dhënave u bëjnë presion emocional qytetarëve që deklarojnë se janë me origjinë greke, teksa në deklaratë thihet se në shumë raste regjistruesit i mbledhin të dhënat me shënime dhe jo me pajisjen elektronike.
“Regjistruesit shpesh herë paraqiten pa pajisjen e nevojshme elektronike dhe mbledhin të dhënat me shënime shkel e shko. Në shumë raste nuk i referohen fare pjesës së Pyetësorit që lidhet me të dhënat mbi kombësinë, fenë dhe gjuhën amtare. Refuzojnë të marrin parasysh deklarimin e banorëve për pjesëtarët e njësisë familjare që nuk janë prezentë. Në mënyrë të përsëritur nuk u kthehen verifikimit të përgjigjeve për konfirmim para regjistrimit definitiv në platformën e Regjistrimit. Vihen re raste të përsëritura ku regjistruesit ushtrojnë presion emocional të pamotivuar tek qytetarët kur këta këmbëngulin për të regjistruar përgjigjet për origjinën e tyre Helenike dhe besimin Orthodhoks.
Për më tepër në banesa ku regjistruesit abuzivisht konsiderojnë se banorët e tyre nuk jetojnë aty nuk bëjnë aktin e njoftimit me shkrim për përsëritjen e anketimit sipas përcaktimeve të Rregullores së Regjistrimit. Për më tepër është e patolerueshme fakti se autoritetet kompetente në njësitë vendore për ndjekjen në vijim të procesit, manifestojnë indiferencë të qëllimshme ndaj ankesave të qytetarëve për sa i përket shkeljeve të rregullave të Regjistrimit”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e OMONIA-s.
Censi i popullsisë nisi në datën 18 shtator dhe do të zgjasë për 4 javë, ku do të merren të dhënat e çdo banori në Shqipëri.