Të shtëna me armë zjarri në Shkodër, plagoset një person në ambientet e një lokali

Një incident me armë zjarri është regjistruar paraditen e sotme në fshatin Shtoj të Shkodrës, ku një person ka mbetur i plagosur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:40, në ambientet e jashtme të një lokali. Sipas informacionit paraprak të Policisë, një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Taulant Hoti, duke e plagosur në këmbë.

I plagosuri është transportuar në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Deri më tani nuk ka informacion të detajuar mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendin e incidentit dhe kanë nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes. Ende nuk dihen shkaqet që çuan në përdorimin e armës së zjarrit.