Nga 1 janari 2027, pragu i regjistrimit të detyrueshëm për TVSH-në propozohet të ulet nga 10 mln lekë, që është aktualisht, në 5 mln lekë qarkullim vjetor.
Sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, ndryshimi pritet të përfshijë rreth 17,516 tatimpagues të rinj në skemën e TVSH-së.
Aktualisht, bizneset me qarkullim vjetor mbi 10 mln lekë janë të detyruara të regjistrohen në skemën e TVSH-së, ndërsa ato me qarkullim mbi 5 mln lekë mund të zgjedhin regjistrimin vullnetar, sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Ndryshimet janë propozuar në projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, ‘Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”’, të ndryshuar”.
Sipas relacionit, ulja e pragut synon formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, zgjerimin e bazës së tatueshme dhe përmirësimin e administrimit të TVSH-së.
“Në nenin 11 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 953/2014 përcaktohet kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, i cili prej janar 2021 është 10 (dhjetë) milionë lekë, me përjashtim të personave të tatueshëm, që ofrojnë shërbime sipas profesioneve të tilla, si: noter, përmbarues gjyqësor shtetëror dhe privat, kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në së të cilëve është zero, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre.
Ndërkohë, qarkullimi vjetor më i madh se 5,000,000 (pesë milionë) lekë, është aktualisht një kufi minimal i regjistrimit për TVSH-në, por me të drejtë zgjedhjeje nga tatimpaguesit.
Krahasuar me vendet e rajonit dhe me vendet anëtare në Bashkimin Evropian, aktualisht vendi ynë aplikon një kufi minimal të regjistrimit për TVSH-në prej 10 milionë lekë në vit, ose rreth 108, 696 euro, që është ndjeshëm më lartë sesa kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në në këto vende. Në tabelën e mëposhtme paraqitet kufiri minimal regjistrimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe disa vende të BE-së.
Në këtë kuadër, propozohet ulja e pragut të regjistrimit për TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor, duke përfshirë rreth 17.516 tatimpagues të rinj në skemën e TVSH-së.
Ulja e kufirit minimal të regjistrimit synon rritjen e formalizimit të aktivitetit ekonomik dhe krijimin e një kuadri fiskal më gjithëpërfshirës dhe transparent, nëpërmjet formalizimit të mëtejshëm të zinxhirit të transaksionit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe zgjerimit të mëtejshëm të bazës së tatimpaguesve”, theksohet në relacion.
Ndërkohë, në përcaktimin e kufirit minimal të regjistrimit për TVSH-në prej 5 milion lekë, është mbajtur në konsideratë fakti se, ky kufi përjashton ato biznese që janë kryesisht biznese familjare dhe me të vetëpunësuar të vetëm.
Projektvendimi parashikohet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet e tij do të fillojnë më 1 janar 2027.
Miratimi dhe zbatimi i këtij projektvendimi, synon të sjellë efekt pozitiv, në rreth 4.5 miliardë lekë, në të ardhurat nga TVSH-ja./Monitor
Projektvendimi
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR. 92/2014, ‘PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË’”, I NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të nenit 159 të ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 953, datë 29.12.2014, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’”, të ndryshuar, bëhen ndryshimit si më poshtë:
Neni 1
Në nenin 11 “Përcaktimi i kufirit minimal të regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)”, pika 1, ndryshon me përmbajtjen si vijon:
“Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik .”.
Neni 2
Në nenin 11/1 “Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e shkallës së reduktuar për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese”, në pikën 1, bëhen ndryshimet si më poshtë:
- Fjalia e parë ndryshon me këtë përmbajtje:
“Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është sipas përcaktimit në nenin 49 të ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.”
- Togfjalëshat “… , në masën 6 për qind.” dhe “…, 20 për qind”, hiqen nga përmbajtja.
Neni 3
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2027.