Mijëra persona protestuan të dielën në Pragë, pasi deputetët e shumicës qeverisëse dhanë miratimin paraprak për ndryshimet në financimin e medias publike, gjatë një votimi të pazakontë që u zhvillua në orët e para të mëngjesit. Nisma është kritikuar për rrezikun që, sipas kundërshtarëve, paraqet për pavarësinë e medias.
Projektligji u përfshi papritur në rendin e ditës së Dhomës së Ulët të Parlamentit të premten, jashtë radhës së parashikuar të shqyrtimit. Opozita dhe organizatat që mbrojnë lirinë e medias kanë kundërshtuar përshpejtimin e procedurave për miratimin e tij. Projektligji parashikon heqjen e tarifave që paguajnë aktualisht familjet për financimin e televizionit dhe radios publike çeke.
Qeveria populiste e kryeministrit miliarder Andrej Babiš, e mbështetur nga partia e ekstremit të djathtë SPD, është përplasur vazhdimisht me median publike dhe atë private.
Qeveria synon që financimi i Televizionit Çek dhe Radios Çeke të kalojë në buxhetin e shtetit. Kritikët paralajmërojnë se ky ndryshim mund t’i bëjë transmetuesit publikë më të cenueshëm ndaj presionit politik.
Udhëheqësi i protestës: Qeveria e ka kaluar kufirin
Kryeministri Babiš deklaron se ndryshimet kanë të bëjnë me transparencën e financimit dhe nuk përbëjnë sulm ndaj pavarësisë së medias.
Protestat e para, në shkallë më të vogël, nisën të premten, pas paraqitjes së papritur të projektligjit. Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit, Tomio Okamura, nga partia SPD, kufizoi debatin dhe caktoi votimin në orën 04:36 të mëngjesit të së shtunës.
Projektligji ndodhet aktualisht në fazën e shqyrtimit nga komisionet parlamentare, përpara një votimi të mëvonshëm.
“Andrej Babiš… Tomio Okamura, askush në këtë vend nuk beson se qëllimet tuaja kanë qenë të pastra”, deklaroi të dielën Mikuláš Minář, një nga organizatorët e protestës, duke kritikuar votimin e zhvilluar gjatë natës.
“(Kjo protestë) është një mesazh i qartë për këtë qeveri: këtë herë e keni kaluar vërtet kufirin”, u shpreh ai përpara protestuesve që kishin mbushur Sheshin e Qytetit të Vjetër në Pragë.
Protestuesit brohorisnin “Dorëheqje!” dhe “Na ka ardhur në majë të hundës!”. Organizatorët njoftuan se do të zhvillojnë protesta të tjera.
Besim i lartë te media publike
Televizioni Çek është transmetuesi më i ndjekur në vend në grupmoshat kryesore. Sipas një sondazhi të Institutit Reuters për vitin 2025, media publike renditet ndër burimet e lajmeve që gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve çekë.
Propozimi parashikon një ulje prej rreth 15% të financimit për Televizionin Çek dhe Radion Çeke, e cila mund të hyjë në fuqi që vitin e ardhshëm.
Partitë opozitare i kanë krahasuar ndryshimet e propozuara me reformat e ndërmarra në Hungari nën drejtimin e ish-kryeministrit Viktor Orbán, gjatë mandatit të të cilit u zgjerua ndjeshëm prania e mediave proqeveritare.
Të premten, Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), së bashku me 15 organizata të tjera, përfshirë transmetues publikë dhe organizatën Reporterët pa Kufij, kërkuan një debat më të gjerë mbi projektligjin dhe heqjen e çdo mase që mund të rrezikojë qëndrueshmërinë financiare të transmetuesve publikë.
Edhe presidenti çek, Petr Pavel, bëri thirrje për një shqyrtim më të thelluar të propozimit nga ekspertët.
“Republika Çeke është ndër vendet e pakta të Evropës Qendrore dhe Lindore ku sistemi i medias publike dhe private funksionon shumë mirë”, shkroi ai të shtunën në platformën X.