6 deputetë shqiptarë në parlamentin e ri të Malit të Zi

Ka përfunduar numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën e 11 qershorit në Malin e Zi. Parlamenti i ri do të ketë 6 deputetë shqiptarë, 4 nga partitë nacionale shqiptare dhe dy nga partitë qytetare.

Dritan Abazoviç nga URA, Drita Llolla nga DPS ndërsa nga partitë nacionale në parlament do të jenë pjesë Mehmet Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Genci Nimanbegu i Aleancës Shqiptare si dhe Nikollë Camaj dhe Ferhat Dinosha nga Forumi Shqiptar.

Shumicën e votave, me 26 përqind, e ka marrë lëvizja “Evropa Tani”, ndjekur nga aleanca “Së bashku” e përbërë nga DPS-SD-LP-DUA me 23.9 për qind.

Koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” ka marrë 14.8 për qind, koalicioni Demokratët dhe URA e drejtuar nga Dritan Abazoviç 12.3 për qind. Forumi Shqiptar ka marrë 2 për qind, Aleanca Shqiptare 1,5 për qind.

Zgjedhjet në Mal të Zi u zhvilluan nën tensionet e kërcënimeve dhe alarmeve për bomba që u ngritën gjatë javës së kaluar në disa institucione shtetërore. Megjithatë procesi i mbajtjes së zgjedhjeve u shoqërua pa incidente të mëdha.