5 vjeçari plagoset rëndë me frezë dhe niset me urgjencë drejt Traumës, familjarët kërkojnë ndihmë për dhurim gjaku

Një 5 vjeçar nga një fshat i Vlorës është aksidentuar pasditen e djeshme me një mjet bujqësor që dyshohet të jetë frezë.

Vogëlushi ka humbur shumë gjak dhe sot është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje të rëndë.

Familjarët kanë bërë thirrje pasi i mituri ka nevojë për gjak.

Familjarët e të miturit së bashku me Shoqatën e Infermierëve kanë shpërndarë njoftimin dhe një numër kontakti për të ndihmuar 5 vjeçarin.

“Erik Aliraj 5 vjeç është shtypur nga freza që punon tokën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Vlorë. I mituri është nisur me urgjencë për në Tiranë në gjendje të rëndë për jetën. Ai ka humbur sasi të mëdha gjaku. Familjarët e tij kanë bërë thirrje për ndihmë për të shpëtuar jetën e vogëlushit të tyre pasi tek Trauma ka mungesë gjaku. Kushdo që dëshiron t’i shpëtojë jetën të miturit mund të dhurojë në spital, grupi nuk ka rëndësi. NUMRI I FAMILJARËVE: +355 69 858 1658”, shkruhet në njoftim.